Ish-deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka dëshmuar në rastin ku kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016, raporton Ekonomia Online.
Beqiri tha se nuk i kujtohet që kryetari aktual i Kuvendit, Glauk Konjufca, të ketë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.
“Ajo që mund të them është se edhe në Kryesi të Kuvendit dhe në seanca ka pasur hedhje të gazit lotsjellës, por po them me përgjegjësi të plotë se nuk mbaj mend që në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit z. Kunjufca ka hedhur gaz lotsjellës, por nuk mundem të them diçka që nuk e mbaj mend”.
Fillimisht ka dëshmuar, ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci. Ai tha se nuk i kujtohet që ndonjëherë Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca të ketë hedhur gaz lotsjellës.
Seanca e radhës do të mbahet me 20 dhjetor, përderisa për të dëshmuar u ftuan ish-deputetët: Sabri Hamiti, Pal Lekaj dhe Valdete Bajrami.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.