Pas një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent zgjedhor, për përzgjedhjen e organeve qeverisëse të Odës Ekonomike Kosovës, proces në të cilin morën pjesë mbi 1,800 anëtar të Odës Ekonomike, në bazë të parimit një anëtarë një votë, nga të gjitha shoqatat sektoriale si dhe nga njësitë rajonale të Odës (29 shoqata dhe 7 njësi rajonale), sot u zgjodhën strukturat drejtuese, përkatësisht organet e Odës Ekonomike të Kosovës.
Procesi zgjedhor u kurorëzua me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi i cili njëherit ishte kandidati i vetëm për Kryetar. Rukiqi ka një përvojë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për 1 vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vite në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, 10 vite si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”, 4 vite kryesues i Bordit të Drejtoreve të KEK-ut, anëtarë i bordit të “Millennium Foundation Kosovo”, si dhe është bashkëthemelues dhe bashkëpronar në kompaninë “Trosha”.
Në fjalimin e vet para delegateve kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës u zotua për partneritet të fuqishëm me bizneset dhe sektorin privat në përgjithësi për përfaqësim të denjë të zërit të tyre në raport me institucionet vendimmarrëse në vend dhe partneret ndërkombëtar. Objektivat kryesore në mandatin 4 vjeçar do të jenë të fokusuara në mbulimin e hendekut të krijuar nga paaftësia e institucioneve për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme, përkatësisht duke u fokusuar në përkrahjen dhe promovimin e eksportit, harmonizimit të nevojave të tregut të punës me sistemin edukativo – arsimor si dhe digjitalizimin e ekonomisë konform trendëve globale.
Kuvendi i ri i Odës Ekonomike të Kosovës falënderoi angazhimin e strukturave të kaluara drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës për zhvillimin e saj, veçanërisht Kryetarit të OEK-ut z. Safet Gërxhaliu. Përveç kryetarit, kuvendi i ri i Odës ka 71 anëtarë i cili zgjodhi edhe Këshillin e Ri Drejtues me përbërje nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Po ashtu zgjodhi Këshillin Mbikëqyrës dhe Sekretarin e Përgjithshëm Parim Bajrami. Të gjitha strukturat drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës janë zgjedhur për mandat 4 vjeçar.