Berat Rukiqi thotë se Serbia vështirë se rikthehet pas heqjes së taksës

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka vlerësuar se aktualisht ka një klimë të favorshme të biznesit në vend.

Rukiqi në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës komentoi gjendjen e ekonomisë në vend, gjatë periudhës së qeverisjes së Ramush Haradinajt.

“Sa i përket Qeverisë Haradinaj, konsideroj se ka pasur një fokus më të madh të prodhimit vendor, ka vazhduar me një praktikë të mirë të politikave fiskale dhe normalisht ishte edhe vendimi i taksës, që në një formë ka qenë sinonim një periudhë të madhe të Qeverise Haradinaj, efektet e të cilit janë parë disa dhe të tjerat mund te shihen në periudha afatgjate”.

Rukiqi gjithashtu shprehu dyshimet për rikthimin e Serbisë ne tregun kosovar pas heqjes potenciale të taksës.

“Për t’i parë efektet tek produktet e caktuara ne duhet të dimë saktë çfarë kemi importuar nga Serbia. Produkti kryesor ka qenë energjia elektrike, pastaj vijnë gazra të ndryshme, lëndën e pare për një pjese të madhe të prodhimeve – duke përfshirë edhe miellin, produktet ushqimore, material higjienike, material ndërtimore. Këto janë gjerat kryesore që kemi importuar nga Serbia”.

“Çdo import i këtyre produkteve pas vendosjes së taksës ka pasur koston e transportit dhe të kontratave që nuk janë negociuar lehtësisht dhe janë afatshkurtra. Këto kanë bërë që të kenë ndikim ne çmimin final të produkteve”.

“Pozitive e shoh që një pjesë e madhe e kompanive kanë filluar ta riorientojnë tregun. Nuk e shoh Serbinë të rikthehet fuqishëm pas heqjes së taksës. Tek produktet e konsumimit të gjerë ka vetëdijesim më të madh të konsumatorëve si dhe kompanitë tona tani furnizohen nga vendet tjera. Por, tek produktet ku kostoja është më e ulët p.sh gruri apo metali, nuk besoj se nëse hiqet taksa dikush do ta shoh vetëm elementin patriotik”.

Kreu i OEK-ut gjithashtu potencoi se nëse vendoset të hiqet taksa duhet të kemi një listë të qartë të çështjeve ekonomike karshi Serbisë.

Të ngjashme