Puna me ritme të ngadalta,objektet në restaurim që prej muajit Mars 2018, duke lënë një imazh të shëmtuar në sytë e vizitorëve.Tre objekte kulti të besimit musliman, edhe pse shumë të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj, vijojnë të jenë në proçes restaurimi prej 1-viti e gjysmë dhe pamja që ofrojnë në qendër të qytetit nuk është aspak e këndshme.
Xhamia e Beqarëve, Xhamia Mbret dhe Teqeja e Helvetive, dy të fundit pjesë e Qendrës Historike të qytetit,janë në proçes restaurimi që prej muajit Mars 2018, falë një projekti të realizuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, me financimin e Agjencisë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA.
Projektet restauruese të këtyre tre objekteve të rëndësishme të besimit islam në Berat që synojnë nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore konsistojnë në: konsolidimin strukturor të monumenteve, restaurimin e çative, çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme,konservimin dhe restaurimin e pikturave murale, restaurimin e elementeve të dekoruar drusor të tavanit, instalimin e sistemit elektrik dhe ngrohës etj.
Edhe pse puna është shumë voluminoze,ritmet me të cilat po ecin punimet për restaurimin e këtyre 3 objekteve të kultit janë tepër të ngadalta, edhe pse projekti parashikohet të përfundojë brenda një afati kohor 2-vjeçar. Me gjithë imazhin aspak të këndshëm për shkak të zvarritjes së punimeve dhe prezantimin aspak dinjitoz të qendrës së qytetit në sytë e vizitorëve, për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Berat, Eugen Kallfani, restaurimet në këto tre objekte kulti islam kanë arritur në një fazë të avancuar.
Duke deklaruar se, këto objekte të rëndësishme kanë qenë shumë të vështira për tu menaxhuar për shkak të mbrojtjes së tyre, Kallfani ka pohuar se,aktualisht është duke u ndërhyrë në çatitë dhe strehat e dëmtuara, ndërkohë që në një fazë akoma më të avancuar është trajtimi i afreskeve dhe pikturave të tyre murale.
Drejtori Eugen Kallfani ka deklaruar se, ndërhyrjet restauruese që po kryhen në Xhaminë e Beqarëve, në Xhaminë Mbret dhe në Teqenë e Helvetive, janë ndërhyrje që po realizohen nga specialistë të kualifikuar shqiptar dhe të huaj, stafe që janë pjesë e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe TIKA-s, profesionistë të liçensuar në fushën e restaurimeve.
Kallfani ka deklaruar se,paralelisht me këto tre objekte të kultit islam janë në restaurim e sipër edhe dy kisha: Kisha e Shën Mërisë në fshatin Sinjë dhe Kisha Kostandini dhe Elena në kalanë e Beratit, ku po restaurohen afresket dhe pikturat e tyre murale.
Teqeja e Helvetive,Monument Kulture i Kategorisë së Parë, i ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 është cilësuar si më e bukura në Ballkan për shkak të tavanit të dekoruar me pikturë murale. Xhamija e Beqarëve është ndërtuar nga Sulejman Pashë Vlora në vitin 1827 dhe ka pësuar ndërhyrje të thella restauruese në vitet 68-78.
Xhamija Mbret është një Monument Kulture e Kategorisë së Parë që daton në shek.XV-të. Ajo së bashku me Teqenë e Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare.