Qarku i Beratit vijon grumbullimin dhe dërgimin e ndihmave ushqimore, veshmbathjeve, batanijeve e vlera të konsiderueshme monetare për të prekurit nga tërmeti.
Të pesta bashkitë e qarkut në gatishmëri, solidarizohen me të prekurit nga tërmeti edhe nxënësit e shkollave, hotelet hapin dyert për të akomoduar familjet e prekura.
Qarku i Beratit,ashtu si shumë qarqe të tjera,është solidarizuar me familjet e pjekura nga tërmeti shkatërrues. Fushata sensibilizuese për të mbledhur ndihma për të prekurit nga tërmeti ka bërë bashkë qytetarët beratas,biznesmenët dhe institucionet,të cilët kanë ofruar ndihmat e tyre për personat e dëmtuar nga tërmeti. Qindra qytetarë beratas vazhdojnë të sjellin ndihma në sheshin qendror të qytetit, ku nga bashkia është ngritur tenda “Berati Solidar”,ndërkohë që ndihmat vijojnë të grumbullohen edhe në katër bashkitë e tjera: Skrapar,Kuçovë,Poliçan e Urë-Vajgurore, ku intensiteti i dhurimeve vijojnë të jetë në rritje. Ndihmat kanë qenë nga më të ndryshmet,që nga veshmbathje,ushqime por edhe vlera monetare. I menjëhershme ka qenë edhe reagimi i të gjitha shkollave në qytetin e Beratit,që në një kohë rekord,kanë mbledhur kaq shumë ndihma ushqimore e monetare për të gjithë të prekurit nga tërmeti.
Drejt Durrësit janë nisur nga i gjithë qarku rreth 10 kamionë me ndihma ushqimore,veshmbathje e batanije,ndërkohë që janë grumbulluar edhe vlera të shumta monetare. Në Berat,të gjitha hotelet janë solidarizuar me familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i mëngjesit të së Martës,duke ofruar dhomat e tyre për këdo që ka nevojë.
Shumë prej hoteleve në qytet kanë hapur dyert për të pritur të gjithë personat që kanë nevojë për strehim,duke deklaruar se,të gjitha shpenzimet,që nga strehimi e deri tek ushqimi dhe gjithçka e nevojshme për ta,do të mbulohen nga vetë këto biznese. Bashkia Berat deklaron se,po koordinon punën me bizneset beratase,për të mundësuar akomodimin e të prekurve nga tërmeti dhe për te ndihmuar secilin prej tyre,duke filluar nga mbështetja me psikologë e deri tek ndihmat ushqimore dhe çdo nevojë tjetër të shfaqur./TCh