Mesfushori Valon Berisha është shquar për paraqitje të mira këtë edicion për Red Bull Salzburgun, por po ashtu për optimizmin e madh.
Kampioni austriak e ka humbur 2:0 ndeshjen e parë nga Marseille në Francë, por lideri i Kosovës beson në rikthim në ndeshjen e dytë. Ndeshja e dytë gjysmëfinale e Ligës së Evropës ndërmjet Red Bull Salzburgut dhe Marseilles luhet të enjten (sonte) prej orës 21:05 në “Red Bull Arena” në Wals-Siezenheim.
“Pas ndeshjes së parë me Lazion shumë njerëz menduan se jemi të eliminuar. Por më pas ne dëshmuam se dimë si të kthejmë gjërat në të mirën tonë. Shpresoj se kështu do të jetë sërish”, ka thënë Berisha për mediat austriake, transmeton Koha Ditore.
Në çerekfinale Salzburgu ishte mposhtur 4:2 nga Lazio, por më pas kishte fituar 4:1 ndeshjen e kthimit. Në gjysmëfinalen tjetër përballen Atletico Madridi dhe Arsenali i Granit Xhakës e Shkodran Mustafit. Ndeshja e parë e luajtur në Londër është mbyllur 1:1. Kështu gjasat për një finale të skuadrave me futbollistë shqiptarë në përbërje ende ekzistojnë. Optimist është shprehur edhe trajneri i Salzburgut, Marco Rose.
“E kemi dominuar ndeshjen e parë për periudhë të gjatë dhe në fakt e kishim Marseillen nën kontroll. Është rast kur gjërat janë pozitive për ne para ndeshjes së dytë. Duam të kemi një ndeshje tjetër të nivelit të lartë para tifozëve tanë. Duhet të japim maksimumin në sulm dhe në të njëjtën kohë të jemi të durueshëm”, ka thënë Rose.