Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Bekë Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim politik dhe qytetar, duke shprehur shqetësimin e tij për situatën aktuale në vend.
Berisha ka thënë për Klan Kosova se, sipas tij, shteti i Kosovës po rrezikohet dhe se nuk duhet lejuar që të dëmtohen të arriturat e vendit.
“Shteti ynë është duke u shpërbërë para syve tanë. Çka është motivi i kësaj, ne i kemi disa shokë që kanë derdhur gjak për këtë liri dhe shtet. Nuk guxojmë me leju njerëzit që nuk janë atdhetarë për ta shpërbërë këtë që e kemi arritur”, ka thënë Berisha.
Ai ka deklaruar se kundërshtimi do të bëhet përmes veprimeve politike dhe protestave, duke bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve.
“Me të gjitha format do ta ndalojmë, në Kuvend e në rrugë. Besoj që fatkeqësisht na duhet me hy edhe në ato ujëra. Duhet të mobilizohemi kushdo që e ndjen veten shqiptar”, u shpreh ai.
Berisha kritikoi edhe mundësinë e shkuarjes sërish në zgjedhje, duke thënë se vendi nuk duhet të përballet edhe një herë me një proces të tillë.
“Është e treta herë që shkojmë në zgjedhje pa pikë nevoje. Nuk guxojmë të katërtën herë me shku prapë, sepse po shihet çka po ndodh. Qëllimi i tyre është me na çu prapë në zgjedhje”, tha ai.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që ta kuptojnë seriozitetin e situatës.
“Ne duhet të bëjmë krejt çka është e mundshme për ta ruajtur shtetin tonë. Me rëndësi është që populli duhet ta kuptojë që jemi në një situatë të keqe, nuk mund ta lëmë të zhbëhet shteti ynë. Kam bërë thirrje që tash është ora për Kosovën”, ka përfunduar Berisha.