Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës është shprehur e kënaqur me vendimin për burg të përjetshëm për Dardan Krivaqen për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa jo për dënimin prej 15 vite burg për Arbër Sejdiu, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Berisha ka thënë se i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu është dashur të dënohet së paku deri në 25 vjet.
“Ne sot ishim edhe në Gjykatë për të qenë prezentë dhe me mbështetë familjen por edhe me e monitoru se si po shkon ky proces. Dënimi ndaj Dardan Krivaqës është dënim meritor, ne e kemi prit një dënim të tillë. Çka do më e ulët se dënimi me burgim të përjetshëm nuk do të ishte prurje e drejtësisë në këtë rast. Në anën tjetër jemi pak të shqetësuar me dënimin e ulët që iu ka bërë bashkëkryerësit të kësaj vepre, Arbërit dhe mendojmë që edhe atij iu është dashur që t’i shqiptohet dënimi më i lartë, që do duhej të ishte deri në 25 vite, për veprën dhe ndihmën që i ka bërë Dardanit për ta krye këtë vrasje makabre”, ka thënë Berisha.
Berisha është optimiste se pas ankesës në Gjykatën e Apelit, do t’i shtohet dënimi edhe Arbër Sejdiut. Ajo ka deklaruar se Prokuroria do ta arrijë të dëshmojë për krimin që thotë se e ka bërë edhe Sejdiu.
“Besojmë që do duhej. Ne e mbështesim kërkesën e familjes që edhe ai ta marrë dënimin që e meriton. Po shpresojmë që së bashku me Prokurorinë do ta arrijnë ta dëshmojnë që ai e meriton një dënim më të madh se këtë që iu shqiptua sot”, shprehet Berisha.
Teksa ka folur për procesin në fjalë, Berisha u shpreh se protestat kanë pasur efekt në aktvendimin e Gjykatës. Thotë se protestat do t’i vazhdojnë nëse nuk i rritet dënimi edhe Arbër Sejdiut.
“Ne ku kemi mundur i kemi marrë rastet në duart tona dhe i kemi asistuar ligjërisht që drejtësia të bëhet në mënyrën e duhur, mirëpo edhe me këto reagimet, protestat kemi parë që po kanë efekt. Ne besojmë që marrë parasysh rëndësinë dhe dëmin që e kanë bërë këta dy kriminelë, kjo do të jetë edhe një motiv për Gjykatën që ta rishqyrtojë dhe ta rrisë këtë dënim dhe nëse kjo nuk ndodh, ne normal që do të protestojmë, do ta mbështesim familjen nëse kanë nevojë me ndihmë ligjore por edhe varet se çfarë kërkesa vijnë prej familjes”, u shpreh ajo.
LEXONI EDHE: