Kryeministrit Edi Rama, i cili i kujtoi humbjen e thellë që e pret më 14 maj në mbështetje edhe të votave të demokratëve, Sali Berisha ia ktheu me të njëjtën monedhë.
“Është në lojën e tij të fundit politike. Rama po e ndien, po e kupton”.
Teksa kryeministri shqiptar ua mbylli derën e bashkëpunimit kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në rast fitoreje, Berisha nuk ua kurseu akuzat të zgjedhurve të Edi Ramës.
“Në këtë rast po thotë të vërtetën se pas 14 majit nuk do t’i mbetet kohë të bashkëpunojë, por të shkojë në punë të tij”.
Për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, Berisha tha se Rama po përdor falangat e krimit. Dhuna e ushtruar, sipas tij, nga drejtori i Bashkisë Komunale të Patosit ndaj punonjësit të tij Bato Dalipaj është shembull i terrorit që tha se po përdoret ndaj qytetarëve.