Berisha: Grupe hakerësh rus po sulmojnë uebfaqet e institucioneve të Kosovës

Prishtinë | 10 Pri 2025 | 22:38 | Nga Ekonomia Online

Kosova që tre ditë po përballet me sulme prej Rusisë, grupe hakerësh me origjinë ruse, por që dyshohet edhe me përkrahje të shtetit rus, kanë sulmuar uebfaqet e shumë institucioneve të Kosovës, kështu ka deklaruar njohësi i sigurisë kibernetikës, Halil Berisha.

Sipas tij, sulmet kanë synuar uebfaqet e institucioneve kryesore të Kosovës, përfshirë faqet e kryeministrisë, ministrive, aeroportit, dhe organizatave të ndryshme.

Berisha, në një postim në Facebook ka theksuar se sulmi i realizuar është një sulm DDoS (Distributed Denial of Service), ku numri i madh i vizitorëve ndalon funksionimin e uebfaqeve.

Ai ka potencuar se të dhënat e institucioneve janë të sigurta, pasi infrastruktura është mbrojtur me shpejtësi nga autoritetet.

Megjithatë, Berisha ka theksuar se, ndonëse shumica e faqeve janë rikthyer në funksion, nevojitet një angazhim më i madh për parandalimin e sulmeve të ardhshme.

Ai ka shtuar se grupet ruse janë në proces të përgatitjes për një tjetër valë sulmesh, e cila mund të përfshijë edhe kompani dhe organizata të tjera.

Të ngjashme