Futbollisti Bernard Berisha përmes një video postimi në Facebook ka thënë se është i mërzitur për mosftesën nga Bernard Challandes për ndeshjet e tetorit, megjithatë ai thotë se pranon vendimin e trajnerit.
Kosova do të luajë ndaj Maqedonisë së Veriut më 8 tetor në gjysmëfinale të “play-offit” ër kualifikim në Kampionatin Evropian.
Kurse në kuadër të Ligës së Kombeve më 11 tetor Kosova luan ndaj Sllovenisë, e më 14 tetor ndaj Greqisë.
“Duke marrë parasysh se këto ditë është folur shumë për çështjen time pata dëshirë që të jap mendimin tim për këtë çështje dhe të sqarohet gjithçka. Unë dhe familja ime jemi të mërzitur shumë për mosftesën nga kombëtarja e Kosovës, po ashtu dua të them se e pranoj vendimin e trajnerit”, ka thënë Berisha.
Ai u ka bërë thirrje të gjithëve që t’i japin mbështetje Kosovës, pasi vetëm të bashkuar arrihet suksese.
“Duke e marrë parasysh se kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, atë ndaj Maqedonisë është një histori për shtetin e Kosovës prandaj ju bëj thirrje të gjithëve që ta mbështesim Kosovën sepse djemtë që janë aty kanë nevojë për mbështetjen tuaj dhe vetëm të bashkuar mendoj se mund t’ia dalim. Ju lutem të jemi të bashkuar dhe vetëm të bashkuar mund t’ia dalim. Forca Kosova”, ka thënë Berisha.
Deri më tani nuk është dhënë ndonjë arsye për mos thirrjen e Berishës për ndeshjet e tetorit. Megjithatë në ndeshje e 6 shtatorit ndaj Greqisë kishte ndodhur një incident ndërmjet Berishës dhe trajnerit Challandes.
Greqia kishte fituar me rezultat prej 2 me 1, me golin e vetëm për “Dardanët” të shënuar nga Bernard Berisha.
Goli megjithatë mbeti nën hije të veprimit të Berishës, menjëherë pas shënimit. I pakënaqur me hapësirën që ia ka ofruar, Berisha me të shënuar është kthyer nga selektori Challandes dhe ka bërë veprime josportive ndaj tij. Berisha ishte munduar të arsyetonte veprimin, dhe përkrahja publike ndaj tij nuk mungoi, ndonëse kishte vlerësime të ndryshme. Por, Challandes ka vendosur të mos e ftojë për tri ndeshjet e tetorit.