Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka garantuar qytetarët e Malishevës se të gjitha projektet, do të jenë cilësore dhe sipas standardeve, pasi tani nuk është koha e emergjencave, por koha kur duhet të rritet cilësia.
Ai këto komente i bëri në një takim me banorët e Banjës, vendbanimi i dytë më i madh në Komunën e Malishevës, ku u diskutuar për hartimin e buxhetit për vitin 2019, me theks të veçantë, nxjerrjen e prioriteteve për investimet në projektet e vitit të ardhshëm.
Në këtë takim, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka thënë se përmes këtyre takimeve, duan që të marrin propozimet nga vet banorët, për orientimin e investimeve për vitin e ardhshëm.
“Ju jeni ata që do ti orientoni investimet përmes propozimeve të juaja, ndërsa ne, ju garantojmë se të gjitha projektet, do të jenë cilësore dhe sipas standardeve, pasi tani nuk jemi në kohën e emergjencave, por jemi në kohën kur duhet të rritet cilësia dhe investimet duhet të shërbejnë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe krijimit të kushteve për zhvillim të përgjithshëm”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Berisha.
Ndërsa drejtori për buxhet dhe financa, Valon Mazreku, duke e prezantuar buxhetin e paraparë për vitin e ardhshëm, ka thënë se Malisheva ka 4.3 milionë euro buxhet për investime kapitale dhe këto investime, do të orientohen duke u bazuar në propozimet e qytetarëve, edhe pse është e natyrshme se jo të gjitha kërkesat mund të realizohen, pasi buxheti për investime është jo i mjaftueshëm.
Zyrtari kryesor financiar, Halil Shurdhaj, e ka prezantuar buxhetin në detaje para banorëve të Banjës.
Më pas, banorët e Banjës, që është vendbanimi më i vizituar në Malishevë, për shkak të ujit, përkatësisht pishinave natyrale, i kanë paraqitur kërkesat e tyre, ku krahas investimeve në bujqësi, përkatësisht krijimit të infrastrukturës rrugore, në mënyrë që bujqit të kenë mundësi të punojnë më shumë tokën, ata kërkuan edhe investime tjera për Banjën.
Sipas komunikatës, zgjerimi i ndriçimit, për shkak se rruga e tyre e ka kyçjen në autostradë dhe janë pishinat, pastaj rregullimi i kanalizimeve, për të shmangur ndotjen e lumit, një rrugë që lidh disa lagje dhe shkollën, e që do të shkurtonte edhe largësinë për në shkollë për nxënësit, ishin disa nga kërkesat e banorëve të Banjës.