Berisha në SHBA, takim me përfaqësuesit e Diasporës: Në 10 vitet e fundit, 46% e shqiptarëve janë larguar

Prishtinë | 06 Sht 2026 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Diasporës, gjatë vizitës në SHBA.

Ai ka folur për emigracionin, teksa e cilësoi shpopullimin, ekonominë dhe ndikimin e krimit të organizuar si problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria.

Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në SHBA, Berisha tha se mbi 46% e shqiptarëve janë larguar nga vendi gjatë dhjetë viteve të fundit.

Ai e lidhi këtë fenomen me atë që e quajti “regjim të drogës” dhe me ndikimin e parave të narkotikëve në ekonomi dhe institucione, raporton TCH.

“Ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga”, tha Berisha.

Sipas kreut demokrat, hyrja e parave të pista ka ndikuar edhe në kursin e këmbimit. Ai deklaroi se euro është zhvlerësuar me 35% dhe dollari me 32% gjatë dhjetë viteve në Shqipëri, duke argumentuar se kjo ka goditur eksportet, bizneset dhe remitencat.

“Me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje”, u shpreh ai.

Të ngjashme