Kryetari i Nismës Social Demokrate, Zafir Berisha, ka reaguar pas arrestimit të personave të dyshuar të një kompanie në Prizren, që komuna i kishte dhënë edhe tenderë.
Organizata joqeveritare “AVONET” ditë më parë ka publikuar një raport në të cilin flitej se si Komuna e Prizrenit e kishte dhënë një tender në vlerë prej 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë një operatori ekonomik i cili kishte aplikuar me dokumente të rrejshme.
Një raportim i tillë i “AVONET” ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Prizrenit, e cila sot ka njoftuar se ka arrestuar dhe ndaluar pronarët e kompanive “NABS” sh.p.k dhe “CONS ENG”, sh.p.k, përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
“Me datë 12 prill 2021, Rrejti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, numër të prokurimit 622-20-2058-2-1-1, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394.853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)”, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr. 1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit “CONS ENG” sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas kësaj ka reaguar Zafir Berisha, i cili ka kërkuar që të arrestohen hajnat e vërtetë dhe jo vetëm bashkëpunëtorët.
“Këto që sot po ndodhin lidhur me keqpërdorimet e milionave në Prizren nga hajdutët e qeveris së LVV, ta kujton një thënie të popullit për gjahtarin e cili nuk e ndjekë gjahun edhe pse e sheh, po i ndjekin gjurmët e gjahut”, ka thënë Berisha.
Tutje ai ka thënë se këta operatorë që janë arrestuar sot, është dashur që të arrestohen më herët.
“Këta operator që janë arrestuar sot, është deshtë me ju ndalë turri kur kanë kontraktuar me hajdutët e Mytës 995€ një ulëse parku, e jo kur buxhetit të Prizrenit i janë shkaktuar dëme me qindra e miliona €”, ka thënë tutje Berisha.
Prokuroria ka vendosur që tre të dyshuarit të shkojnë në paraburgim 48 orë.