Berisha, tha se duhet të kihet parasysh se Kosovës i bie mirë vetëm kur bashkërendon veprimet me aleatët e saj ndërkombëtarë.
“Veprime të tilla nga ana e Serbisë nuk duhet të na surprizojnë. Serbia në vazhdimësi ka bërë veprime të tilla, që të na sjellë në pozicione të vështira dhe përplasje me QUINT-in. Ajo çka është evidente është se sa herë që Kosova i ka bashkërenduar qëndrimet dhe vendimet e saj me faktorin ndërkombëtar, partnerët tanë dhe QUINT-in, ne gjithmonë kemi dalë të fituar. Pretendimet e Serbisë për mbajtjen e një referendumi, i cili ka të bëjë me çështjet e brendshme të Serbisë janë cenim i drejtpërdrejtë i integritetit territorial, politik, juridik dhe kushtetues të vendit tonë”.
“Në këtë pretendim të Serbisë lexohet hapur tendenca e saj për të treguar se unë e mbaj Kosovën në preambulë, për të treguar shovinizmin që lidershipi i trashëguar nga Millosheviqi e ka, si dhe për të treguar para popullit të vet atë patriotizmin patetik që e kanë të kalitur me shekuj se Kosova është pjesë e Serbisë. Këta kanë pretenduar, përmes Asociacionit, që ta realizojnë Republikën Srpska brenda territorit të Kosovës, por Gjykata Kushtetuese dhe vetë kushtetuta e përjashtoi si të tillë dhe tani po pretendohet që përmes këso aktesh destruktive, si tendenca për të mbajtur referendum brenda territorit të Kosovës, ta bëjnë realitet në mënyrë të heshtur pa aktin final, pra pa një dokument”.
Deputeti i PDK-së deklaroi se mbajtja e një referendumi të tillë në Kosovë është e jashtëligjshme dhe si e tillë duhet të ndalohet.
“Duhet ta bëj të qartë qëndrimin që kemi mbajtur si subjekt politik edhe si individ se mbajtja e çfarëdo referendumi brenda territorit të Kosovës është e jashtëligjshme dhe diçka që identifikohet e jashtëligjshme, që bie ndesh me kushtetutën dhe rendin juridik të Kosovës, duhet të ndalet me krejt mekanizmat shtetërorë”.
Berisha tha se liderët kosovarë do të gjejnë mirëkuptim nga shtetet e QUINT-it për çështjen e referendumit serb, ku kanë qëndrime krejt të ndryshme, vetëm nëse flasin me gjuhë të Kushtetutës.
“Çka duhet të ndodhë në vazhdimësi është sjellja e përfaqësuesve institucionalë të Kosovës si burrështetas dhe si përfaqësues të një shteti sovran dhe të pavarur që ka rend kushtetues dhe ligjor, por gjithmonë në harmoni me partnerët tanë strategjikë dhe QUINT-in. Ne gjithmonë kemi gjetur një zgjidhje që s’e ka dëmtuar Kosovën në procesin e saj të krijimit të identitetit shtetëror në harmoni me rekomandimet e shteteve të QUINT-it që janë pesë vendet më të fuqishme të botës. Liderët tanë duhet të flasin me gjuhën e Kushtetutës dhe vetëm duke folur me këtë gjuhë arrijmë të gjejmë mirëkuptim me partnerët ndërkombëtarë dhe QUINT-in. Kryeministri i sotëm e ka shtetin, ligjin dhe mazhorancën. Urdhëro dhe vepro si burrështetas, si kryeministër”.