Pas krijimit të Fondit të Sigurisë, deputeti i PDK-së Hisen Berisha, i ftuar në emisionin “Debati” në Tëvë 1 me Flaka Zogun, tha se kryeministri i vendit Albin Kurti nuk i njeh çështjet e sigurisë.
Sipas Berishës, “fakti që pretendon me dal nga rruga ligjore dhe kushtetuese e krijimit te buxhetit të shteti qoftë për Forcën apo të tjera, e buxhetimit tregon se ose janë laik fare, janë emocionalë dhe nuk dijnë çfarë bëjnë”.
“Janë me atë logjikën e OJQ-ve dhe provojnë me punu jashtë sistemi shtetëror duke mbajtur sekret personale. Nga takimi i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, del edhe thotë se disa tema janë sekret. Çfarë sekreti ka me i njoftu ti qytetarin tënd si kryeministër i vendit ose president dhe me i thanë në koordinim me QUINT-in dhe partnerët ndërkombëtar kemi marrë këto masa dhe ky është kursi i veprimit politik dhe ushtarak. Me dal ministrja e Ekonomisë, me than që ka rezerva shtetërore, është gënjeshtër…Çka nëse kjo luftë eskalon në përmasa globale, çka nëse kjo eskalon në përdorimin e armëve që janë për zhdukjen masive, si do të marrësh ti grurin e kontraktuar me Ukrainën, kur Ukranina është në luftë”, tha Berisha.
Ai shtoi se kryeministri nuk duhet të mbajë sekrete, sepse kjo do të thotë pasiguri për popullin.
“Nuk ka sekret për popullin, sepse fjala jote është siguri për popullin, ose pasiguri dhe në momentin kur ti thua këtë e di veç unë, ai popull është i pasigurt”, tha Berisha.
Berisha shtoi se Fondi i Sigurisë është një “spekulim i hapur me qytetarin dhe fatkeqësisht një tendencë për t’i plaçkitur mërgimtarët”.