Enver Sekiraqa nuk është arratisur. Ai po trajtohet për shkaqe shëndetësore jashtë Kosovës.
Kështu deklaroi avokati i Sekiraqës, Besnik Berisha.
Berisha tha se për shkaqe sigurie të klientit të tij, nuk mund ta zbulojë vendndodhjen.
“Enver Sekiraqa është në spital duke u trajtuar me probleme shëndetësore serioze, të cilat kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe për të cilat është trajtuar dhe ka kërkuar leje dalje e shoqërim nga Polica”, ka thënë ai.
“Për shkak të sigurisë së tij personale, nuk mund të zbulojmë këtë. Shteti e di sepse nuk ka dalë as duke fluturuar, ka kaluar nëpër pikat kufitare si qytetar. Nuk është në Kosovë, është në spital. Për shkak të sigurisë së tij personale nuk mund të zbuloj vendndodhjen. Kujt i intereson prej shtetit mundet me ditë”, ka theksuar Berisha.
Enver Sekiraqa u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen e policit Triumf Riza, rast i cili ka ndodhur në vitin 2007.
Më 18 maj policia deklaroi se Sekiraqa ishte arratisur. Arratisja e tij erdhi pas ndryshimit të masës së sigurisë ndaj tij, ku Apeli disa ditë më parë vendosi që të njëjtin ta kthej në paraburgim nga arresti shtëpiak.