Berisha s’pret që presidentja Osmani të rrëzohet për shkak të rastit të tij: Pres rikthim të demokracisë e përfaqësim të komuniteteve

Prishtinë | 30 Mar 2023 | 13:36 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tash e dy vite është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili pretendon se për shkak të orkestrimit të votave, kandidatët e “Iniciativës Rome” janë zgjedhur deputetë në mënyrë të kundërligjshme, kurse ai ka mbetur jashtë Kuvendit, shkruan Ekonomia Online.

Berisha ka thënë për Ekonomia Online, se nuk i ka të qarta arsyet e zvarritjes së vendimit nga Kushtetuesja.

Ai thotë se atë kohë Gjykata Supreme kishte përdorur dy standarde, për shkak se u pranua ankesa e deputetes Duda Balje, ndërsa Berishës jo. Thotë se kishin të njëjtin rast.

“Në fakt ne nuk jemi dorëzuar përballë një padrejtësie e cila ka ndodhur në zgjedhjet qendrore të vitit 2021, dhe në atë kohë ka qenë orkestrimi i votave nga ana e Listës serbe bashkë me disa parti ‘marionete’ të tyre që kanë arrit me e deviju demokracinë e komuniteteve joshumicë dhe kanë arrit me pas deputetë rreth vete të cilët kanë qenë të votuar nga jo serbë. Në këtë rast njëra ka qenë nga komuniteti boshnjak Adriana Hodziq dhe tjetra nga Iniciativa rome. Në fakt kur është marrë vendimi është marr i padrejtë nga PZAP dhe Gjykata Supreme, për shkak se u përdorën dy standarde. Për rastin e komuniteti boshnjak u largua Adriana Hodziq, ndërsa për rastin tonë ka mbetur Fadil Gashi”, u shpreh ai.

E sa i përket raportimeve në media, Berisha u shpreh se nuk ka asnjë ifnormacion që vendimi mund të jetë në favor të tij.

“Me thënë të drejtën unë si palë në procedurën gjyqësore do duhej të isha i pari i informuar për vendimin. Nuk e di prej nga kanë rrjedhë këto që do të preket presidentja. Unë faktikisht kam bërë këtë proces që fare nuk ka qenë për presidenten, nuk e kam nis për me u ataku presidentja. Më vjen keq dhe nuk do duhej të ndodhte kështu”, u shpreh Berisha.

Ish-deputeti i Partisë Liberale egjiptiane, thotë se nuk do të dëshironte që nga procesi i tij të atakohej zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente. Këtë thotë se as nuk do ta dëshironte.

“Unë nuk e pres një gjë të tillë, sepse nuk e kam nis për një qëllim të tillë dhe normalisht do doja që institucionet të jenë të qëndrueshme. Nuk do të ndihesha mirë nëse bie presidentja, për faktin që po përsëritet kjo çështje e rrëzimit të presidentëve. Unë pres që me u rikthy demokracia dhe përfaqësimi i komuniteteve në Kosovë dhe me iu ndalu rreptësishtë dhe me u ndëshku gjithë ata që janë marrë me orkestrimin e votave dhe me u rikthy përfaqësimi i të zgjedhurve direkt nga ai komunitet”, thotë Berisha për EO.

Të ngjashme