Ish-Kryeministri Sali Berisha tha të enjten se zgjedhjet vendore të 30 Qershorit janë të dënuara me vdekje.
“Zgjedhjet janë të dënuara me vdekje, nuk ishin zgjedhje ato. Ishin një farsë. Cilido që mendon le të rikujtojë pak Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për zgjedhjet, për votën. Ato vendime hedhin poshtë me përçmim si antidemokratike zgjedhjet moniste, zgjedhjet pa alternativë, pa kandidatë. Cilido që mbështet këto zgjedhje do të mbulohet nga turpi i historisë, ky është një vend i lirë. Asgjë këtë popull nuk mund ta mposhtë”, tha Berisha, në një prononcim për mediat, jashtë selisë së Partisë Demokratike pas një mbledhjeje të strukturave drejtuese të PD.
Berisha tha se edhe misioni i ODIHR me qartësi të plotë ligjore deklaroi se këto zgjedhje janë antikushtetuese në Shqipëri. “ODIHR deklaroi se dekreti i Presidentit është në fuqi dhe se mund të sfidohet jo nga narkokomisionerët e PS në KQZ, jo nga narkogjykatësit, por vetëm nga Gjykata Kushtetuese.”
Si Presidenti Ilir Meta, edhe Berisha sulmoi reformën në drejtësi duke e quajtur “pseudoreformë të Soros”.
“Nëse drejtësia do të ishte marrë me krimin elektoral, nuk do të ishin këto zhvillime. Por qe ajo pseudoreformë e George Soros që do t’i jepte Edi Ramës të gjitha pushtetet, e cila bukosi dhe shndërroi drejtësinë në narkodrejtësi. U them këtyre zonjave dhe zotërinjve, mafia nuk heton veten e vet. Prandaj edhe shqiptarve të mos u sugjerojnë gjëra galante sikur këtu është një vend me një demokraci, jo një vend me një ndërtim e sipër, me një puthtet juridik të kapur, ekzekutiv të kapur, legjislativ të kapur. Të gjitha pushtetet e kapura nga një mafioz”.
Pyetjes së përse u tërhoq opozita nga moslejimi i zhvillimit të zgjedhjeve, ish-kryeministri iu përgjigj: “Atë bëri mirë për mendimin tim. Aty bëri shumë mirë. Opozita bëri një tërheqje, kjo është e vërtetë, por bëri shumë mirë sepse opozita bëri përpjekjet më të jashtëzakonshme për të demaskuar farsën elektorale, thirrjes së qytetarëve për të bojkotuar iu përgjigj pasivisht, më tutje aty nuk mund të shtynte. Liria ime përfundon aty ku përfundon liria e tjetrit.”