Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka falënderuar popullatën serbe në Kosovë, duke thënë se ka ruajtur seriozitetin, e ka treguar dinjitet e maturi, edhe pse po jetojnë në një atmosferë të provokimeve të vazhdueshme.
Ajo ka folur për “TV Pink” në Serbi një ditë pasi vizita në veri e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte përcjellë reagime e protesta të serbëve lokalë.
“Përpjekjet po vijnë vazhdimisht nga Prishtina për të mbledhur probleme politike, në vend se të shihen mënyra se si të ndihmohen njerëzit që jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Unë sërish do të përsërisë një nga fjalitë më të qarta të presidentit Aleksandar Vuçiq, që është: ‘Njerëz, ne nuk dërguam armë e tanke atje, por vaksina dhe ilaçe. Nëse shkatërroni dhe kapni ilaçet, çfarë reagimi prisni?’ Beogradi do të vazhdojë dhe gjithmonë do të mbajë hapësirën e hapur për bashkëpunim. Po ju kujtoj, se kur mbaruan testet, ne u dërguam atyre 1000 teste dhe nuk folëm për këtë, por ai doli si lajm nga ministria e Shëndetësisë e të ashtuquajturës Kosovë. Tash jemi të gatshëm të ndihmojmë shqiptarët me vaksina, siç do të ndihmojmë Maqedoninë”, ka thënë Bërnabiq.
E Igor Simiq nga Lista Serbe ka falënderuar kryeministren Bërnabiq dhe presidentin Vuçiq, që thotë se po luftojnë për qytetarët serbë në Kosovë.
“Dje kemi parë tentimin e Osmanit dhe Kurtit për të demonstruar forcë dhe për të frikësuar serbët. Sidoqoftë, reagimi i serbëve ishte në një nivel të lartë dhe ata dërguan një mesazh se njerëzit që duan të prishin paqen nuk janë të mirëpritur. Kurti paralajmëron Shqipërinë e Madhe, e vjen në veri, prandaj nuk pritej një reagim i tillë”, ka thënë Simiq.
Ndërkohë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosov e Metohi në kuadër të qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Kurti ka tentuar të provokonte një incident me të cilin dëshironte të rritej edhe më tej në sytë e elektoratit shqiptar.
“Plani i Kurtit dështoi në momentin kur populli serb, me një protestë paqësore, e tregoi qartë se ku e ka vendin”, ka thënë Petkoviq për “Tanjug”. “Me këtë agresion, Kurti destabilizon vazhdimisht, jo vetëm provincën tonë jugore, por gjithë rajonin”.
Ai ka thënë se Kurti kërcënon me referum për krijim të Shqipërisë së Madhe.