Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se ende nuk është eliminuar rreziku i atentatit ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në TV Pink, drejtuesja e ekzekutivit serb, ka thënë se rreziku vazhdon, duke iu referuar informacioneve që kanë marrë nga shërbimet e sigurisë franceze për “sigurinë e cenuar” të Vuçiqit.
Ditë më parë u ngrit gishti i akuzës edhe ndaj presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, që këto pretendime i ka cilësuar të pakuptimta. Duke komentuar këtë deklaratë, Bërnabiq ka thënë se nuk e di “pse Milo e ka njohur veten si një nga organizatorët e atentatit”.
Gjatë muajit prill, në Serbi organizohen zgjedhjet presidenciale. Ato po konsiderohen test për presidentin aktual, Aleksandar Vuçiq. Vuçiq ka deklaruar se në ato zgjedhje do të votojnë edhe serbët e Kosovës. Në janar, Prishtina zyrtare nuk i lejoi Beogradit të organizojë referendum në Kosovë, që kishte të bënte për disa ndryshime të juridiksionit serb që të përshtaten me ato të Bashkimit Evropian. Qeveria është zotuar se s’do të lejojë as organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.