Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi se futja e vaksinimit të detyrueshëm kundër koronavirusit për punonjësit e shëndetësisë do të hapte probleme të tjera për Serbinë.
Ajo beson se ky vendim përfundimisht do të çonte në fillimin e një procesi gjyqësor në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, transmeton Gazeta Express.
Në një konferencë shtypi pas hapjes së spitalit të ri Covid në Novi Sad, Bërnabiq tha se nuk do të donte të impononte “gjëra të tilla të dukshme” te mjekët si detyrim, sepse ajo beson se do të ishte fyerje.
“Unë mendoj se punonjësit e shëndetit besojnë në shkencë dhe se ata do ta udhëheqin vaksinimin”, tha Bërnabiq, raporton B92.
Ajo theksoi se futja eventuale e vaksinimit të detyrueshëm në kujdesin shëndetësor do të çonte në shkarkimin e 20% të punonjësve shëndetësorë të cilët për ndonjë arsye nuk duan të vaksinohen.
“Atëherë ju i keni sindikatat, të drejtat e njeriut dhe 300 gjëra që vijnë me të. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ka një mënyrë tjetër për të fituar”, tha ajo.
Kryeministrja serbe deklaroi se Shtabi i Krizave do ta diskutojë këtë çështje në seancën e ardhshme.