Federata e Futbollit të Kosovës dhe përzgjedhësi Bernard Challandes kanë ndërprerë bashkëpunimin, pas humbjes nga Gjeorgjia të martën mbrëma me rezultatin 2:1 në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Challandes tha se ka kaluar kohë të mirë në Kosovë dhe e se ndjehet i mërzitur për shkak të rezultateve, duke shtuar se nuk është i inatosur.
Ai tha se qëllimi i vetëm ka qenë zhvillimi i sportit të Kosovë dhe është i kënaqur me ato që kanë bërë.
“Natyrisht se jam i pikëlluar për këtë vendim, pasi kam pasur një kohë të mirë këtu. Kemi pasur qëllim që të vazhdojmë të ndërtojmë një ekip konkurrues”.
“Kisha kënaqësinë që kam punuar me këtë skuadër, por jam i pikëlluar që nuk do të jem. Jam shumë, shumë i kënaqur me mbështetjen nga Federata me këtë staf që gjithmonë kanë qenë besnik dhe ishte, mund ta them qartë se në karrierën time si trajner, nuk kam pasur të tillë”.
Challandes pohoi se do të shikojë në vazhdimisht ekipin e Kosovës derisa ka thënë se ndihet pak si kosovar.
“Shpresoj të kthehem t’i shoh ndeshjet e Kosovës në te ardhmen pasi besoj se tashmë e kemi ndërtuar hapin e parë dhe për të arritur të dytin nuk është aspak lehtë. Nuk është vendim i mire që presidenti po e bën pa mua, por shpresoj që Kosova të arrijë shumë pasi e ndjej veten paksa kosovar”.
Challandes ka shtuar se Kosova ka lojtarë shumë të mirë, duke shtuar se të gjithë duhet të kenë durim me këtë ekip.
“E kuptoj se na duhen rezultatet, por nuk e pranoj se duhen patjetër rezultatet, sidomos në këtë grup tejet të fortë që e kemi pasur. E di që trajneri duhet të ketë rezultate dhe presioni i gjithë shtetit nuk ka qene i lehtë për federatën”.
Challandes ka përmendur disa nga momentet më të mira si trajner i Kosovës, prej të cilave ishte ndeshja me Azerbajxhanin dhe me Anglinë.
Kryetari i FFK-së Agim Ademi, ka falënderuar Challandes për kontributin e dhënë për përfaqësuesen e Kosovës, por që siç thotë Ademi, ai gradualisht nuk i kanë përmbushur obligimet dhe objektivat.
“Ne duke pasur parasysh objektivat tona, dhe punën që e kemi bërë deri tash falënderojmë Challandes sepse me të e kemi filluar, por që gradualisht nuk i kemi përmbush obligimet apo objektivat tona dhe në mënyrë të përbashkët kemi vendosur me i ndërpre bashkëpunimin”.
“Nga sot, Challandes nuk do të jetë pjesë e jona”.
Ademi tha se vendimi është marrë së bashku dhe nuk detyrohen për obligime financiare ndaj Challandes, raporton EO.
Ndërsa, nuk ka treguar për trajnerin e ri, ngase sipas tij ditëve në vijim do të bëhet i ditur emri i tij.
“Vendimet vinë nga njerëzit, këto ndryshojë vazhdojnë me Challandes, por që ditëve në vijim do të merret vendim për trajnerin e ri”.
70-vjeçari ishte emëruar trajner i Kosovës në mars të vitit 2018 nga ish-presidenti tashmë i ndjerë i FFK-së, legjenda e futbollit, Fadil Vokrri.
Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.