BERZh: Flukset e forta nga eksporti dhe diaspora nxisin rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka prezantuar sot në Prishtinë edicioni i fundit të Raportit për Tranzicionin 2021-22.

Ekonomia e Kosovës u rimëkëmb fuqishëm në vitin 2021 nga kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19, thekson edicioni i fundit i Raportit për Tranzicionin 2021-22, i përpiluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe i prezantuar sot në Bankën Qendrore të Kosovës në Prishtinë. Edicioni i këtij viti i Raportit për Tranzicionin fokusohet në digjitalizimin, duke vënë në dukje hendekun në rritje mes ekonomive që po avancojnë me shërbime digjitale dhe atyre që kanë mbetur prapa, si dhe thekson rëndësinë e tejkalimit të këtyre dallimeve për arritjen e progresit të mëtejshëm.

Pas tkurrjes prej 5.3 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës u rrit për 10.5 për qind në vitin 2021, sipas vlerësimeve fillestare. Kjo rimëkëmbje e fuqishme u nxit nga një zgjerim i fortë i eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, i mbështetur nga sektori i jashtëm i favorshëm dhe flukset e ringjallura nga diaspora. Edhe konsumi i brendshëm dhe investimet u rritën. Teksa projeksionet janë që ekonomia të vazhdojë të rritet, shtimi i pasigurive globale dhe dobësitë e mundshme në mjedisin e jashtëm mund ta frenojnë rritjen.

Raporti i këtij viti, i cili analizon trendet në 38 ekonomi në të cilat investon BERZH-i, titullohet “Rritja e Sistemit: Sigurimi i Dividendit Digjital”. Digjitalizimi mori hov të madh gjatë krizës Covid-19, pasi pjesë të mëdha të ekonomisë në shumë vende kaluan online brenda pak ditësh. Ky proces është i destinuar të vazhdojë dhe do të mbetet një nga forcat kyçe që formësojnë zhvillimet në mbarë botën – duke përfshirë Kosovën dhe rajonet më të gjera të BERZH-it.

Sipas raportit, përdorimi i teknologjisë digjitale nga njerëzit duket se pengohet nga nivelet e ulëta të shkathtësive digjitale në shumë vende. Veç kësaj, mungesa e shkathtësive digjitale në popullatën në moshë pune të ekonomive në rajonet e BERZH-it, po përkeqësohet edhe nga ikja e trurit – migrimi i jashtëm i personave me nivele më të larta arsimimi dhe, në veçanti, shkathtësi më të mira digjitale.

Neil Taylor, Shefi i BERZH-it në Kosovë, tha: “Kosova ka një popullatë të re dhe ndërmarrëse, e cila është në pozitë të mirë që të përfitojë nga bumi i shërbimeve digjitale. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për ta ndihmuar Kosovën të mbyllë hendekun e perceptuar ndërmjet arsimit dhe biznesit, si dhe për të siguruar themelin që vendi të lulëzojë në ekonominë digjitale në mënyrë që talentet më të mira të vendit të qëndrojnë këtu”.

LEXO EDHE:

https://ekonomiaonline.com/ekonomi/mehmeti-masat-e-ndermarra-nga-bqk-u-treguan-efektive-ne-ruajtjen-e-stabilitetit-financiar-per-ekonomine/
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme