BERZH-i ndan 100 milionë euro për projekte infrastrukturore në komuna

MoU: Cooperation in Support of Municipal and Environmental Infrastructure in Kosovo
Prishtinë | 08 Maj 2018 | 14:11 | Nga

Hamza dhe presidentin i BERZH-it nënshkrujnë memorandum 100 milionësh për projekte nëpër komuna

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga ministri i Financave Bedri Hamza është duke marrë pjesë në takimet vjetore të organizuara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilat po mbahen në Aman të Jordanisë, transmeton Ekonomia Online.

Gjatë këtyre takimeve ministri Hamza është pritur në takim të veçantë nga presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, për të diskutuar mbi bashkëpunimin financiar mes BERZH-it dhe Ministrisë së Financave, përkatësisht Qeverisë së Kosovës. Hamza, sipas një komunikate nga MF-ja, kërkoi që përveç aktivitetit aktual, Banka të zgjerojë mbështetjen për sektorin privat, në veçanti për mbështetjen e bizneseve të reja që udhëhiqen nga të rinjtë dhe gratë.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi është nënshkruar edhe Memorandumi i Bashkëpunimit për Infrastrukturë Lokale dhe Mjedis i cili parasheh bashkëpunimin afatshkurtër mes dy institucioneve për projekte në komunat e Kosovës, në vlerë totale deri në 100 milionë euro.

Memorandumi shërben si kërkesë fillestare për financim nga Ministria e Financave të Kosovës për projekte në sektorë kyç të infrastrukturës lokale, siç janë ujërat dhe trajtimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave të ngurta, ngrohja qendrore, transporti, infrastruktura rrugore, dhe efiçienca e energjisë.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi rithekson zotimin e Ministrisë së Financave për të siguruar financim për projekte të nivelit lokal, të cilat janë të rëndësisë së veçantë për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ministri Bedri Hamza, gjithashtu pritet të takojë edhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të Bankës për të diskutuar progresin e projekteve aktuale dhe mundësitë e financimit të projekteve potenciale për Kosovën.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme