Në kuadër të Samitit të fundit të BERZH-it, u lansua Paltforma Rajonale e Investimeve për nxitje të investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, transmeton Ekonomia Online.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) vlerëson se kjo platformë ka rëndësi multimdimensionale pasi që synon komunikimin me investitorë të mëdhenj ndërkombëtar të cilët kanë interes për projekte në rajonin e Evropës Juglinodre, projekte të cilat mund të përkrahen edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.
“Edhe gjatë samitit u lavdërua publikisht lidershipi i Odës Ekonomike të Kosovës, në fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, si parakusht për integrim evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas Presidentit të EBRD-së, “Kjo platformë ka potencial të bëhet një mjet i domosdoshëm për investitorët e huaj dhe komunitetin e biznesit të rajonit.
Vetë Oda Ekonomike Rajonale është një projekt i shkëlqyer. Duhet gjithashtu të theksoj se iniciativa kryesore për këtë projekt ishte nga udhëheqësit e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, një simbol i fortë i stabilitetit në rajon”, shtoi ai”, thuhet në një komunikatë nga OEK-u.
Sipas komuniatës përfaqësuesit e Odave Ekonomike theksuan që kjo platformë do t’u ndihmojë të krijojnë stimuj cilësorë për eliminimin e barrierave të biznesit dhe për të krijuar një harmonizim të rregulloreve, procedurave dhe praktikave për arritje të një efikasiteti të operacioneve të biznesit.
Platforma Rajonale për Investime, e zhvilluar nga Chambers Investment Forum – Forumi i Investimeve të Odave Ekonomike, e lansuar në Samitin e Investimeve më 26 shkurt, është një shembull i iniciativave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedonin dhe Serbinë.