Analistja politike, Besa Luzha, ka thënë se çështja e vendimit të taksës ka përçarë partnerët e koalicionit pasi nuk dolën njëzëri për t’u përballur me kërkesat e ndërkombëtarëve për tërheqjen e saj.
Luzha në Info Magazine potencoi se sikur subjektet e koalicionit qeveritar të jepnin mendim të përbashkët karshi kërkesave të SHBA-ve, do të kishte një zgjidhje për çështjen e dialogut deri tash, njofton Klan Kosova.
“Gjendemi në një situatë të vështirë. Ne jemi në një situatë ku po na bëhet presion për një proces të cilin ne kemi qenë çdo herë pjesë e tij”.
”Kemi bërë procese të shumta, kemi lejuar etnizimin, të gjitha këto i kemi bërë duke shpresuar që të gjendet rruga për në familjen europiane që të shpërblehet Kosova”.
”S’është realizuar asnjë marrëveshje nga ana e Serbisë. Të gjitha ato që janë diskutuar – as pagat, as energjia, asnjë… Por, presioni është vetëm në ne”.
”Nuk mund ta kuptoj presionin ndërkombëtar që bëhet ndaj palës kosovare derisa Serbia është ajo që ka qasjen jo të duhur karshi të gjithëve”.
”Presion i bëhet atij që gjithnjë ka treguar më shumë konstruktivitet”.
”Por, në këtë situatë nuk kam si të mos e justifikoj të vetmen kartë të Kosovës, sepse në momentin kur shkohet në një dialog Serbia me këtë qasje destruktive mund ta keqpërdorë këtë vetëbesim. Mund të gjendemi në një moment sikurse ndodhi me demarkacionin”.
”Dëshira për të qenë të gjithë njëzëri nuk është ditur të shfrytëzohet mirë, sepse nga momenti kur ka pasur kërcënime secili i ka dhënë opinionet e veta”.
”Nuk rrezikohet partneriteti me miqtë për shkak të taksës, sepse sikur të ishin të gjithë njëzëri e të kërkonin nga ndërkombëtarët se ku janë garancitë për marrëveshjet e arritura nga Serbia, sigurisht do kishte një rezultat”.
”Partnerët e koalicionit tashmë janë përçarë. Njëri thotë se duhet suspenduar taksa, e tjetri thotë që nuk duhet suspenduar”.
Partnerët e koalicionit duhet të gjejnë një zgjidhje për ta eliminuar idenë e presidentit Thaçi për kufijtë
Analistja politike Besa Luzha ka thënë se Kosova ka interes të vazhdojë rrugëtimin drejt integrimit evropian, por të mos rrezikohet me tema të kufijve.
Luzha tha në Info Magazine se rreziku kanoset pasi aleatët ndërkombëtarë nuk janë pro korrigjimit të kufijve dhe partnerët e koalicionit duhet të gjejnë një zgjidhje për ta eliminuar këtë ide të presidentit Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.
”Interesi i Kosovës është të vazhdohet përpara, por të mos rrezikohet shteti me tema të kufijve për të cilat edhe aleatët janë të përçarë”.
”Për këtë duhet që partnerët e koalicionit të diskutojnë dhe të arrijnë një zgjidhje se si të eliminohet ideja e Hashim Thaçit për korrigjimin”.
”Në fund të fundit, Serbia do të vijë në situatë kur do ta kuptojë që për të ardhmen e saj më e rëndësishme është ta njohë shtetin e Kosovës”.
”Doktrina e aleatëve tanë po ndryshon. Kemi një doktrinë të SHBA-ve që po ndryshon, ajo është më e interesuar që sa më shpejtë të rregullohen problemet në Ballkan”.
”Korrigjimi i kufijve e ka komplikuar edhe raportin mes liderëve kosovarë. Kemi institucionet ligjore, por kemi frikën sepse ne duhet të marrim së paku garancinë nga miqtë ndërkombëtarë apo ndërmjetësuesit”.
”Duhet të ketë garanci që nuk do të ketë agjendë të paracaktuar për korrigjim kufijsh dhe nëse ka rrugë të tregohet se si të vazhdohet dialogu”.
”Dialogu duhet të kuptohet si një mjet që duhet normalizuar marrëdhëniet. Pala kosovare duhet të bisedojë se çka nuk duhet të pranojnë nga propozimet e dhëna për marrëveshjen”.
”Pjesëmarrja në OKB neve nuk na bënë shtet apo qytetarë më të mirë. Kosovën e kanë njohur plotë vende, tash kemi ardhur në situatë që tërë atyre vendeve që na kanë njohur t’ju themi ”mos na njihni se do e ndryshojmë sovranitetin”.