Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Luzha, ka reaguar pas caktimit të numrave garues për zgjedhjet e ardhshme, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që të zhvillojnë një garë të drejtë dhe të përmbajtur.
Në një postim, ajo ka kërkuar që fushata të jetë pa propagandë, shpifje e linçime, ndërsa të fokusohet në programe reale dhe të matshme për qytetarët.
“Tash, pasi u vendosën edhe numrat garues, iu bëjmë ftesë të gjitha subjekteve të dakordohen për një garë fer, pa propagandë, shpifje e linçime dhe duke u fokusuar në politika konkrete,” ka shkruar Luzha, duke shtuar se vendi ka nevojë për angazhime serioze.
Ajo ka theksuar disa nga prioritetet që, sipas saj, duhet të udhëheqin debatin politik.
“…forcojnë shtetin e Kosovës në aspektin juridik dhe atë ndërkombëtar; përmirësojnë jetën e qytetarëve me politika konkrete arsimore, shëndetësore e të mirëqenies; forcojnë respektimin dhe sundimin e ligjit për të gjithë në mënyrë të barabartë; promovojnë përfshirjen e gjithë segmenteve të shoqërisë – grave, burrave, të rinjve dhe minoriteteve – për ndërtimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.”
Në fund, Luzha ka uruar që zgjedhjet të karakterizohen nga përgjegjësia dhe komunikimi konstruktiv.
“Suksese të gjithëve që do të marrin pjesë në garë! Urojmë që arsyeja, maturia dhe gjuha bashkëpunuese të karakterizojnë këtë raund të zgjedhjeve,” shtoi ajo.