Krijimi i Ministrisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi (MIN) është rezultat i Platformës së Qeverisë së Republikës të Kosovës 2017-2021.
Në një komunikatë shtypi të kësaj ministrie të sapoformuar, theksohet se ministri Besim Beqaj e ka pranuar këtë detyrë me synim të zhvillimit ekonomik duke e fuqizuar rolin e ndërmarrësisë dhe inovacionit në ekonomi.
“Ndërmarrësia kosovare ka nevojë për të kombinuar njohuritë, kapacitetet, aftësitë dhe resurset me qëllim të maksimizimit ekonomik të aktivitetit ndërmarrës. Inovacionet na paraqiten si teknologji të reja, si produkte të reja, si metoda të reja të prodhimit, metoda të reja të furnizimit, gjetjeve të tregjeve të reja, sisteme të reja organizative dhe prodhuese, etj. Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të punojë ngushtë me komunitetin e teknologjisë informative (ICT), me ndërmarrësit vendorë, me asociacionet e biznesit, me universitetet, me institutet hulumtuese, si dhe ekspertë të fushave relevante”.
Synimi themelor i Ministrisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi, sipas komunikatës, do të jetë stimulimi i aktiviteteve inovative në Kosovë, të cilat do rrisin produktivitetin ekonomik dhe institucional përmes zhvillimit të teknologjisë informative dhe ndërmarrësisë efikase.
“Kjo ministri do jetë vendi i ballafaqimeve profesionale të ideve kreative dhe inovative me ndërmarrësinë kosovare, dhe njëkohësisht do shërbejë si avokat i ndërmarrësisë kosovare brenda dhe jashtë vendit”.
Objektivat kryesore të Ministrisë janë të orientuara në: (i) promovimin e inovacionit dhe teknologjisë informative në shërbim të rritjes ekonomike dhe zhvillimit; (ii) zhvillimin e ndërmarrësisë përmes programeve të trajnimit/ konsulencës; (iii) konsolidimin e fondit për ICT për përkrahje të sektorëve zhvillimor të ekonomisë; (iv) krijimi i fondit dhe përkrahja institucionale e femrave dhe të rinjve në ndërmarrësi; (v) krijimi i mekanizmave institucional koordinues në mes të shkencës, sektorit privat dhe politikë-bërjes.