Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Klinës, Besim Hoti, ka prezantuar të enjten projektin e tij për zhvillimin e Klinës, ku prioritet do të ketë zhvillimi ekonomik, krijimi i parakushteve për vende të reja të punës, investime në arsim dhe shëndetësi dhe rritje të hapësirave të gjelbëruara.
“Do të angazhohem për një administratë komunale e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve. Prioritet do ta kemi zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës, përmirësimin e cilësisë në arsim, shëndetësi, shërbime publike efikase, ambient të pastër dhe atraktiv për të jetuar”, ka thënë Hoti, përcjell EkonomiaOnline.
Plani i tij për Klinën parasheh zgjerimin e rrjetin e ujësjellësit dhe investime në kanalizim, në mënyrë që ujërat e zeza të mos i ndotin lumenjtë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka dhënë përkrahje të plotë programit të Hotit për fitore në zgjedhjet e 22 tetorit dhe zhvillimin e Klinës.
Ai ka thënë se Klina meriton një qeverisje të LDK-së që moti nuk e ka përjetuar, me një kryetar të moderuar, të cilit duhet t’ia japim besimin, për një qeverisje të pakorruptuar e cila do t’i kryejë me afat projektet dhe jo kështu siç po zvarriten projektet me vite në Klinë.
“Ne si LDK e kemi marrë këtë obligim që t’i përkrahim kandidatët tanë me një program konkret të zhvillimit ekonomik lokal, pasi që prioritet themelor i ynë do të jetë zhvillimi, ulja e varfërisë dhe mirëqenia e qytetarëve. Në këtë aspekt ne prijmë karshi të gjitha partive tjera politike”, ka thënë Mustafa.
Fadil Gashi, kryetar i Degës së LDK-së në Klinë, ka thënë se në këto zgjedhje jemi bashkë rreth kandidatit tonë Besim Hotit dhe rreth Lidhjes tonë për fitoren më 22 tetor.
“Kandidati ynë është personalitet i formuar dhe i dëshmuar, me vlera morale, profesionale dhe kombëtare të cilin e karakterizon profesionalizmi, serioziteti, sinqeriteti dhe guximi, për të vepruar në të mirë të qytetarëve”, tha Gashi.