Sipas një ankete të realizuar nga një kompani publike, besimi i rusëve në presidentin e tyre, Vladimir Putin, ka rënë në nivelin më të ulët në 14 vjetët e fundit.
Në anketën e realizuar nga Qendra Ruse për Hulumtimin e Opinionit Publik, nga njerëzit u kërkua që ta zgjedhnin një politikan të cilit i besojnë. Përkrahja për Putinin ra në 28.3 për qind në muajin mars nga 30.6 për qind sa ishte në janar.
Valery Fyodorov, kryetar i kësaj qendre, citohet të ketë thënë se pjesëmarrësit në anketë kanë më shumë gjasa që ta zgjedhin Putinin si të besuarin e tyre, nëse atyre u ofrohen zgjedhje të shumëfishta, sesa nëse u shtrohet një pyetje e llojit të hapur.
Rënia e popullaritetit të presidentit rus ka qenë një dukuri afatgjate, ndonëse ai i fitoi bindshëm zgjedhjet për mandatin e katërt si president në vitin 2018, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Prej asaj kohe, Putini dhe ligjvënësit rusë i kanë shtyrë përpara disa reforma kundërthënëse sociale dhe ekonomike, të cilat i kanë zemëruar shumë banorë të Rusisë.
Këtu përfshihen rritja e moshës për të dalë në pension dhe rritja e tatimit për vlerën e shtuar. Është kritikuar edhe nisma e presidentit për t’ia ofruar vetes mundësinë e zgjatjes së pushtetit përmes ndryshimeve kushtetuese.