Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramit, festë kjo që vjen pas Muajit të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanë agjëruan në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Në Kosovë ceremonia kryesore është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fati”, raporton Ekonomia Online.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka uruar besimtarët për këtë festë ka bërë thirrje për unitet.
Sipas tij, Fitër Bajrami është festa më popullore që presin gjithë grupmoshat.
“Në këtë mëngjes të bukur jemi mbledhur në xhamitë tona për të festuar Fitër Bajramin, festë që bartë harenë, gëzimin në zemrat e besimtarit. Të gjithë besomtarët urojnë e gëzojnë, ngase për një muaj kanë zbatuar urdhërin e Zotit për agjërim”.
”Agjërimi për besimtarin është sakrificë që bëhet vetëm për Krijuesin dhe la arsye që të festojë me familje. Në Ramazan na bashkoi lutja, spfra e iftarit dhe prandaj sot kemi arsye që ta festojmë këtë fitër Bajram”, tha Tërnava.
“Ramazanin po e përcjëllim me krenari e me familje tona po e përcjellim Fitër Bajramin. Fitër Bajrami është festa më popullore që presin gjithë grupmoshat”, tha Tërnava.
Ai u shpreh se falë sakrificës shekullore të popullit erdhi liria dhe pavarësia por tashmë mbetet tek brezat aktualë që Kosova të jetë Republika ku duan të jenë të gjithë kategoritë e shoqërisë.
“E kemi obligim që ta ruajmë dhe ngremë vendin tonë aty ku e meriton ai. Ka dashur Zoti që tash e disa vite vendi ynë është i lirë dhe i pavarur, mirëpo është obligim ynë që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me perspektive, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanët rriten të sigurte e të marrin edukim e arsim cilësor, një vend ku sigurohet vende pune e jetë të dinjitetshme për bijtë e bijat tona… Falë sakrificës shekullore të popullit tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por si qytetarë të këtij vendi e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjithë kategoritë e shoqërisë”, vijoi Tërnava.
Ai tha se Bajrami i Madh sjellë gëzim e lumturi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit pas një muaj agjërimi në Ramazan.
“Festa e Fitër Bajramit bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë dhe çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e përgëzojnë ngase për një muaj rresht me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhrin e krijuesit të gjithësisë, duke agjëruar në muajin Ramazan, muajin Ramazan të cilin sapo e lamë pas me mirësi e begati të tij si asnjë muaj tjetër”, deklaroi Tërnava.
Tërnava shtoi se mësimet e porositë gjatë muajit Ramazanit duhet të na shoqërojnë edhe muajve të tjerë.
Sipas tij, në krye të këtyre mësimeve është kujdesi ndaj familjes, vlerë që sipas Tërnavës, duhet ruajtur me xhelozi.
“Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike. Familja tek populli ynë në vazhdimësi ka qenë institucioni më i besuar dhe më i çmuar vlera këto të cilat duhen trasuar e ruajtur me xhelozi dhe duhet kultivuar ato te brezat e rinj”, vijoi Tërnava.
Tërnava nuk la pa përmendur edhe ikjen e të rinjve nga vendi. Tha se braktisja nuk është zgjidhje dhe se qëllimi kryesor në jetë nuk është vetëm ana materiale.
“Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë kohë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti vendi ynë me angazhimin tonë të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet. Vendi ynë merr peshë e kuptim vetëm me bijtë e bijat e saj atëherë kur i kemi shtëpitë tona plot, me bijë e bija, me nipa e mbesa, kur çerdhet e shkollat t’i kemi në funksion të edukimit e mësimit se në të kundërtën i mbetemi borxh vendit dhe brezave që vijnë. E kemi obligim ta duam dhe ta ndërtojmë vendin”, tha Tërnava.
Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 23 mars dhe u përmbyll më 20 prill. Traditë në festën e Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje mes të afërmve dhe miqve.