Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, Ragmi Mustafi ka folur në lidhje me vizitën e Besnik Bislimit dhe Arbërie Nagavcit në Luginën e Preshevës.
Ai tha se deri më tani janë ndjekur të gjitha procedurat sa i përketë realizimit të vizitave dhe se pritet vendimi i Serbisë.
“Deri më tani janë ndjekur të gjitha procedurat sa i përketë realizimit të vizitave, megjithatë mbetet mbi autoritetet e Republikës së Serbisë deri në momentin e fundit që të japin verdiktin final. Edhe në të kaluarën ka ndodhur që vizita të caktuara janë planifikuar dhe më pas ka qenë e pamundur të realizohen për shkak të vendimeve që kanë ardhur nga Beogradi dhe ka pasur edhe vizita që nuk janë planifikuar, por janë realizuar”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai u shpreh se Bislimi e Nagavci do të vizitojnë shumë struktura në Luginën e Preshevës.
“Unë besoj se tashmë ka një klimë sa i përketë vizitës dhe po besoj që kjo vizitë do të realizohet, ashtu siç është planifikuar në mënyrën më të mirë të mundshme, unë besoj që atë në Luginën e Preshevës do të jenë prezentë zëvëndësministri dhe ministrja e arsimit”, ka shtuar Mustafi për klan kosova.
Ndryshe të hënën në Kosovë do të qëndrojë kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq.