Besnik Tahiri: Ky ligj akomodon vetëm nivelin politik, degradon administratën publike

Prishtinë | 01 Shk 2023 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka reaguar pas publikimit të vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave.

Tahiri tha se vlera e koficientit do të duhej të ishte 129 euro, dhe kjo sipas tij do të ishte minimalja.

Tutje ai tha se nuk kemi asnjë rritje, përveç ndërhyrjeve e flakareshave për institucionet e pavarura, si drejtësia, e degradimeve për sektorët vitalë si arsimin, shëndetësinë, policinë e shërbimin civil.

“U deshën dy vite përplasje, fyerje e nënçmime të sindikatave, por edhe administratës shtetërore për të sjellë një Ligj që akomodon vetëm nivelin politik. Asnjë e re, asnjë rritje, përveç ndërhyrjeve e flakareshave për institucionet e pavarura, si drejtësia, e degradimeve për sektorët vitalë si arsimin, shëndetësinë, policinë e shërbimin civil.

Për asgjë më tepër, vetëm reflektimi i normës së inflacionit në shportën bazike po të reflektohej, vlera prej 129 euro e koeficientit do të ishte ajo më minimalja. E, mos të përllogarisim inflacionin ndër vite, prej rritjes së fundit të pagave. Kjo ishte arsyeja e kërkesës sonë që vlera e koeficientit të jetë në këtë shumë.

Përdorimi i shtesave si argument i ndërlidhur me pagën bazë, shpërfaqë nevojën për ta mbuluar turpin, në veçanti kur kjo ka të bëjë me sektorët vitalë. Ndryshimi i vetëm, në mes këtij degradimi është diferenca që kanë krijuar mes rritjes së pagave të tyre dhe administratës publike”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Të ngjashme