Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka paralajmëruar për një situatë të rëndë ekonomike në vend, duke theksuar se bizneset dhe punëdhënësit janë në prag kolapsi.
Përmes një reagimi publik, Tahiri ka thënë se rritja e çmimit të naftës dhe obligimet fiskale janë bërë të papërballueshme për bizneset, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e ekonomisë dhe shtetit.
“Punëdhënësit dhe sidomos bizneset në vend janë në prag kolapsi. Çdo ditë pa veprime konkrete po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, qasja aktuale e Qeverisë për kontrollimin e çmimeve është e gabuar dhe po detyron bizneset të operojnë me humbje. “Kjo nuk është zgjidhje, por është recetë për falimentim”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se shtetet serioze ndërmarrin masa të tjera në situata të tilla.
Ai ka përmendur si alternativa uljen e përkohshme të TVSH-së dhe akcizës, subvencionimin e sektorëve kritikë, krijimin e rezervave strategjike dhe mbështetjen direkte për qytetarët.
Duke iu referuar praktikave ndërkombëtare, Tahiri ka përmendur përvojat e Ukraina gjatë krizave dhe modelin e Japonia për menaxhimin e rezervave.
Në këtë kontekst, ai ka paraqitur dy kërkesa urgjente: lirimin e menjëhershëm të së paku 8 centëve nga TVSH-ja dhe heqjen e akcizës për naftën deri në stabilizimin e situatës
Tahiri ka paralajmëruar se, në mungesë të këtyre masave, vendi mund të përballet me një valë mbylljesh biznesesh dhe humbje të vendeve të punës.
“Ironia është e madhe: nga njëra anë mburremi me rritje të të hyrave buxhetore, nga ana tjetër po e mbytim sektorin që i gjeneron ato. Kjo nuk është menaxhim ekonomik, por një iluzion i rrezikshëm”, ka theksuar ai, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional.