Besnik Tahiri pas vrasjes së dy personave në Gjilan: Dhuna nuk është nder, as traditë

Prishtinë | 10 Tet 2026 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe një burri në Gjilan, duke e cilësuar këtë ngjarje si alarm për krizën e thellë shoqërore në Kosovë.

Tahiri ka thënë se shoqëria kosovare nuk mund të pretendojë të jetë moderne dhe perëndimore, ndërsa në raste konfliktesh apo mosmarrëveshjesh rikthehet te mentaliteti që, sipas tij, kërkon arsyetim te tradita dhe kanuni.

Ai ka theksuar se as tradita, as kanuni dhe as feja nuk mund ta justifikojnë vrasjen.

“Ka ardhur koha të flasim hapur, ta sfidojmë këtë mentalitet dhe të mos heshtim më. Dhuna nuk është nder, në veçanti vrasja e grave nuk është traditë, kurse heshtja nuk është zgjidhje”, ka shkruar Tahiri në reagimin e tij.

Tahiri ka bërë thirrje për përballje të hapur me mentalitetin që normalizon dhunën dhe për të mos e trajtuar heshtjen si zgjidhje përballë rasteve të tilla.

Të ngjashme