Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve elementare në vend, duke e cilësuar situatën “të papranueshme” dhe të paarsyeshme krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës.
Në një postim, Tahiri ka thënë se qytetarët po përballen me ngritje të përditshme të çmimeve, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk po ndërmerr asnjë masë konkrete për t’i mbrojtur ata.
“Çfarë është tu ndodh kështu? Çdo ditë po shtrenjtohen çmimet e produkteve të përditshme, janë shku në hava,” ka shkruar ai.
Tahiri ka theksuar se produktet bazike në Kosovë tashmë po shiten më shtrenjtë se në disa nga ekonomitë më të forta evropiane.
“Si është e mundur që produktet bazike, si qumështi, produktet e qumështit, frutat dhe artikuj të tjerë ushqimorë, të kenë çmime më të larta se në Zvicër, Gjermani, Itali apo Francë?” ka pyetur ai.
Sipas Tahirit, situata ekonomike e qytetarëve është rënduar ndjeshëm, ndërsa qeveria nuk ka ofruar zgjidhje reale.
“Në Kosovë, me këtë qeveri, duket se të vetmet gjëra të lira kanë mbetur pagat,” ka deklaruar ai, duke shtuar se “5 vjet veç fjalë e përralla e premtime!”