Është konfirmuar gjyqtari që do ta ndajë drejtësinë në finale të Ligës së Kampionëve në mes të Tottenham Hotspurit dhe Liverpoolit që zhvillohet më 1 qershor në Madrid.
Damir Skomina do të jetë njeriu që do të jetë në mes të kësaj përballje gjigante, sipas Daily Mirror dhe është gjyqtari që ka qenë pjesë e ndeshjeve të mëdha në këtë sezon.
Slloveni ishte vënë në krye të përballjes që e zhvilloi Liverpooli në fazën e grupeve me Napolin, por momenti i tij më i rëndësishëm ishte përmbysja e Manchester United ndaj Paris Saint-Germainit.
Damir Skomina (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)
Në ndeshjen e dytë që u zhvillua në mes të skuadrës angleze dhe asaj parisien në ‘Parkun e Princave’, Skomina kishte akorduar penallti, pas prekjes me dorë nga lojtari i këtyre të fundit, për tu konsultuar më vonë me VAR-in.
Ai ishte momenti më kontrovers i ndeshjes, pasi shumë persona, përfshirë këtu edhe Neymarin, ishin të acaruar me atë vendim, e që golin e fitores e shënoi Marcus Rashford, për ta kaluar Unitedin tutje.