Gjashtë muajt e parë të këtij viti e lëkundën vlerën e monedhës së përbashkët evropiane-euros.
Baticat dhe zbaticat që e shoqëruan këtë valutë në udhëtimin e saj, u panë me publikimin e të dhënave nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) për kursin mesatar të këmbimit për muajt janar-qershor.
Sipas këtyre të dhënave dhe nxjerrjes së një mesatareje të përgjithshme, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, valuta evropiane që përdoret edhe në Kosovë është dobësuar përballë disa valutave, e forcuar ndaj disa të tjerave.
Një euro gjatë këtij gjashtëmujori sillej rreth 138 lekë shqiptare, duke rënë kështu në muajin qershor vlera e saj në 137 lekë. Në krahasim me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, euro-ja vlerësohej 140 lekë, ku vërehet një dobësim i saj këtë gjysmëvit.
Lehtësisht ka rënë vlera e euros edhe në raport me valutën kroate “Kuna” ku nga 7.6 kuna që mesatarisht mund të bliheshin me një euro në kursin e këmbimit, këtë gjashtëmujor mund të blihen 7.5 kuna.
“Beteja” e euros vazhdon edhe me valutat tjera, por ndaj disa monedhave ajo triumfoi në këtë gjashtëmujor.
Një euro valutë që mund të konvertohej në 121 dinarë serbë në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar, këtë gjysmëvit kushtoi 122 dinarë. Rritje të vlerës euroja kishte edhe ndaj lirës turke. Nga 2.85 lira turke me të cilat këmbehej 1 euro vitin e kaluar, sivjet vlera e euros u ngrit në 3.2 lira turke.
Rritje e vlerës së euros apo zbehje e sterlinës apo funtës britanike u vërejt në këtë gjashtëmujor. Mesatarisht 0.73 funta kushtonte një euro në këmbim, ndërsa këtë gjysmëvit euroja kushtoi 0.78 funta.
Në muajin e kaluar britanikët votuan pro daljes nga Bashkimi Evropian (BE) dhe në media flitej se do të krijohej një boshllëk i madh nga kjo dalje e cila parashikohet të ndikojë edhe në ekonominë e këtij vendi me dobësim të parasë së saj nacionale.
Lehtësisht e është rritur vlera e euros edhe përballë denarit maqedonas dhe frangut zviceran ndërsa euroja vazhdon të jetë në nivel të njëjtë me dollarin amerikan.
Që nga viti 2002 në Kosovë filloi të përdorej euroja si valutë duke zëvendësuar markën gjermane.