Vendtakimi i Klinasve ditën e protestës me 25.07.2023, ishte në mesin e dy shesheve, “Mujë Krasniqi” dhe “Ndue Perlleshi”. Kjo është një simbolikë që sikur këta dy burra i bëjnë roje Klinës tonë nga të dy anët. Të dy këta burra të mëdhenj luftuan deri në flijim, që ne sot të jetojmë të lirë e të gëzojmë jetën në trojet stërgjyshore. Veprën dhe kontributin e tyre do ta nderojmë sa t’i thuhet bukës-bukë e ujit-ujë, e nderimi më i madh ndaj tyre është TË JETOJME NË VENDIN TONË.
Nëse dje ishte patriotizëm të luftohet për çlirimin e vendit tonë, sot me të drejtë themi se patriotizëm është ta ruajmë vendin tonë nga ndotja dhe ta ruajmë shëndetin e prindërve dhe fëmijëve tonë.
Po bëhen 4 vite që banorët janë në një betejë të pabarabartë, një beteje e cila është kundër të gjithëve por është e banorëve, e banorët janë më të rëndësishëm se sa të gjithë të tjerët. Banoret nuk shkuan të ndërtojnë shtëpitë e tyre tek fabrika e çimentos por fabrika e çimentos po don të ndërtohet tek shtëpitë tona, e meqenëse është kështu ne do të jetojmë në shtëpitë tona kurse fabrika e çimentos nuk do të ndërtohet.Kjo është mënyra më e butë për ta shprehur kundërshtimin tonë kundër kësaj të keqe që po e kërcënon Klinën me rrethinë. Në këto 4 vite, kemi trokitur në çdo derë dhe kemi lëvizur çdo gurë që ideja për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Klinë të mos jetësohet.
Si rezultat i zërit të protestave, vitin e kaluar u nxjerr vendimi për pezullim të të gjitha lejeve deri në përfundimin e procesit gjyqësor në mes të MPL dhe Komunës se Klinës. Sot edhe pse është në fuqi ky vendim për pezullim të lejeve banorët ende nuk janë të qetë sepse pezullimi nuk na mjafton, ne duam që kjo re e zezë që dita ditës kërcënon Klinën tonë të bukur, të hiqet një here e përgjithmonë. Zëri ynë ka jehuar fuqishëm në çdo cep të Kosovës dhe përtej Kosovës, ne kemi ndërtuar aleat në betejën tonë, andaj me mburrje them se tani në mbështetje të kauzës tonë janë mbi 10 organizata të shoqërisë civile nga të gjitha anët e Kosovës të cilat se bashku me anëtarësinë e tyre janë prezent në këtë protestë. Kemi takuar dhe kemi marr mbështetje nga Kryetaret e Komunave përreth Klinës, siç janë Kryetari i Komunës së Pejës, Istogut dhe Malishevës, kemi mbështetjen e mediave të pavarura vendore dhe ndërkombëtare dhe mbështetjen e fuqishme të dashamirëve të ambientit edhe jashtë kufijve të Kosovës.
KRYETARI QË NUK PËRFAQËSON INTERESAT E QYTETARËVE
Është e rëndë të mendohet dhe shumë më e rëndë të thuhet se sot, në vitin 2023, 24 vite pas çlirimit të Kosovës të tentohet të bllokohet fjala e lirë dhe e drejta për protestë. Drejtuesit e komunës se Klinës përveç dëmeve të larta e mundimeve të mëdha që ia shkaktuan banorëve të saj, tentuan ta pengojnë edhe protestën paqësore për të kundërshtuar armikun më të madh të pasluftës, atë të shkatërrimit të ambientit pra fabrikën e çimentos. Protesta u drejtua nga një skenë të improvizuar në një kamionete, skenë kjo e cila u realizua në momentet e fundit ngase skena e cila ishte planifikuar të vendosej nuk u lejua nga organet komunale të kësaj qeverisje jodemokratike. Kryetari z. Elezaj, kishte premtuar se deri sa të ketë banorë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos nuk do të lejoj që kjo fabrikë të ndërtohet, lëre që nuk dëgjoj kundërshtimet e banorëve por për me keq ai u bë mesiti që kjo fabrikë të ndërtohej në komunën tonë. Dhe sot qytetari i Klinës e ka kuptuar këtë hile që iu është bërë andaj sot jemi këtu që ta ngrisim zërin tonë kundër hiles së pushtetit lokal dhe hileve të mëdha të shtetit karshi banorëve Klinas.
JEHONA E PROTESTËS NË KLINË TEK MEDIAT VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE
Protesta e zhvilluar në qendër të Klinës me moton “Të jetojmë në vendin tonë” kundër fabrikës së çimentos në Klinë, pati jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Agjencione dhe media të ndryshme ishin të pranishme në Klinë me datë 25.07.2023, për të ndjekur nga afër protestën e organizuar nga banorët e komunës së Klinës. Një vapë me temperatura ekstreme nuk pengoj shumë njerëz që të dalin në sheshin kryesor në Klinë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj idesë për ndërtimin e fabrikës së çimentos.
Klina ishte mbushur me gazetarë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ndjekën dhe dokumentuan ngjarjen, imazhet e kësaj proteste të cilat u shpërndan në gjithë botën. Gazetarët e seksionit të Zërit të Amerikës ishin gjithashtu në Klinë dhe raportuan drejtpërdrejt nga kjo zonë. Ata përgatitën një material për edicionin e lajmeve, duke sjellë ngjarjet dhe ndjenjat që përcollën protestën e banorëve të Klinës.
Këshilli Organizativ i Protestës Kundër Ndërtimit të Fabrikës së Çimentos në Klinë