Betohen 16 rekrutë të rinj të FSK-së

Prishtinë | 29 Sht 2017 | 14:22 | Nga

Me një ceremoni madhështore në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, sot solemnisht nën intonimin e himnit shtetëror u betuan 16 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjenerata 2021, filluan shkollimin për kadetë në Qendrën për Studime Universitare(QSU).

Fillimisht, para të pranishmëve; mysafirë, ushtarakë e familjarë të rekrutëve, revistën e kadetëve të QSU të FSK-së të rreshtuar për ceremoninë e betimit e zhvilloi komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi.

Rekrutëve të rinj – oficerëve të ardhshëm, të cilët kanë zgjedhur që t’i shërbejnë vendit,  iu drejtua komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

“Ju falënderoj që iu keni bashkuar familjes sonë, në misionin e përbashkët. Ju siguroj që jeni duke bërë gjënë më fisnike që mund ta bëni, të përgatiteni për mbrojtën e qytetarëve tanë,  për ruajtjen e vlerave demokratike dhe për të kontribuar për një botë më të mirë për fëmijët tanë’’, tha Rama.

Gjeneral Rama në vazhdim tha se profesioni i oficerit nuk është i lehtë. Por, me disiplinë, vullnet, integritet dhe dëshirë, duke sfiduar vetën tuaj, do të arrini të korrni suksese gjatë shkollimit dhe gjatë karrierës, duke i bërë krenarë familjen dhe institucionin.

Më tej, komandanti i FSK-së tha se nuk duhet të vetëkënaqemi, por të punojmë shumë dhe me profesionalizëm e të mos dorëzohemi para sfidave që na shfaqen.

“Si shoqëri kemi avancuar shumë në ngritjen e kapaciteteve tona, por kemi edhe shumë punë për të bërë. I tërë ky rrugëtim është bërë falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga aleatët dhe partnerët tanë, sidomos nga SHBA-të’’, transemton EkonomiaOnline.

Gjithashtu, gjeneral Rama foli edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

“Tani jemi para një sfide tjetër, transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura. Ky proces është tërësisht në duart e liderëve tanë politikë, të cilët jam i bindur që do të gjejnë mënyrën më të mirë të vendimmarrjes strategjike’’, tha Rma.

Në fund të fjalës së tij, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama porositi kadetët e rinj.

“Gjatë katër viteve të ardhshme ju do të edukoheni, zhvilloheni dhe trajnoheni si udhëheqës, por në asnjë mënyrë mos bëni kompromis me detyrën, nderin dhe atdheun. Respektimi i vlerave dhe standardeve do t’ju bëjë persona më të mirë në ushtri, në familje dhe në shoqëri’’.

Gjatë këtij aktiviteti të pranishmëve iu drejtua edhe komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, i cili bëri një paraqitje në retrospektive të shkollimit të kadetëve: ,,Qendra për Studime Universitare tanimë ka bërë një traditë në edukimin e oficerëve të rinj, me rezultatet e së cilës krenohemi të gjithë. Tashmë, në Forcën e Sigurisë së Kosovës numërojmë gjithsejtë 105 oficerë të promovuar nga kjo qendër, të cilët janë duke bërë punë të shkëlqyera nëpër njësitë e tyre’’.

Më tej, gjeneral Cikaqi  iu drejtua  kadetëve  të sapo betuar me këto fjalë: “Betimi që bëtë sot, iu obligon me përgjegjësi të reja të cilat kanë efekt të drejtpërdrejtë në jetën tuaj, në familjet tuaja dhe në raport me FSK-në’’.

Në fund të fjalës së tij, komandanti i KDS-së përgëzoi lidershipin e QSU-së, oficerët dhe nënoficerët që punojnë me kadetë, sepse siç tha gjenerali atyre u është besuar e ardhmja e oficerëve e rrjedhimisht edhe e ardhmja e lidershipit të Forcës tonë.

Në fund rekrutët, kadetët e vitit të parë të studimeve, para oficerëve, familjarëve dhe mysafirëve të tjerë dhanë betimin dhe nënshkruan kontratën e shërbimit në FSK.

Këtë vit janë pranuar dhe kanë filluar vitin akademik 16 rekrutë të rinj, prej tyre dy janë nga Republika e Shqipërisë. Kjo gjeneratë pritet të mbaroj studimet në vitin 2021.

 

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme