Betohet kryetari i Ferizajt, Agim Aliu

Ferizaj | 20 Dhj 2017 | 13:57 | Nga

Kryetari i ri i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë betimin para asamblistëve të rinj të Ferizajt. Mbledhja inauguruese, ku dhënë betimin solemn dhe asamblistët e rinj, u kryesua nga këshilltari më i vjetër Rafiz Sejdiu i Partisë Demokratike të Kosovës.

Pas betimin solemn me një fjalë rasti Aliu i është drejtuar asamblistëve, me ç’rast ka theksuar se marrja e përgjegjësisë së të parit të qytetit është një moment tepër i veçante për secilin njeri, ndërsa ka falënderuar familjarët e tij për ndihmën që i kanë dhënë, duke shprehur mirënjohje edhe për simpatizantët partiake dhe të gjithë qytetarët ferizajas.

“Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, përkatësisht 19 nëntorit të këtij viti, Ferizaj tregoi edhe një herë vlerat e tij të qytetarisë e virtytit. Besimi i dhënë nga qytetarët e Komunës së Ferizajt, që t’i përfaqësoj në katër vjetët e ardhshme si kryetar komune, tek unë shpërfaqet si një ndenje misionare e zotimit për sendërtim të pritjeve për ndryshimet e kërkuara. Jam plotësisht i vetëdijshëm se në vitet e shkuara, Komuna e Ferizajt ka shënuar arritje të shumta, në shumë sfera.

“Por, po ashtu, jam i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm që sot, detyrën e kryetarit të Komunës e marr në një situatë jo të lehtë dhe mjaft sfiduese”.

:Por, jam i bindur se me partneritetin funksional me qytetarët e Ferizajt do t’i tejkalojmë vështirësitë ekzistuese dhe komunën tonë, do ta rivendosim në binaret e kahjes së pakthyeshme të efikasitetit , efektivitetit, përfaqësimit e faktorizimit. Jam i bindur që, në partneritetin misionar me qytetarët, Ferizaj do të konsolidohet në rrugën drejt transformimit në një komunë elitare në të gjitha sferat: respektim të ligjit, transparencës më të madhe, menaxhim të financave të komunës, administratë më efikase, vepra publike cilësore, shërbime publike më të avancuara, shëndetësi më të organizuar, arsim më cilësor, rini më aktive e më të shëndoshë, kulturë më përfaqësues e më gjithëpërfshirës, rikthim të rezultateve kulmore në sporte të ndryshme, fuqizim ekonomik të mëtutjeshëm, mbështetje më efikase bizneseve lokale dhe atyre që duan të operojnë në komunën tonë. Qytetarët e Komunës së Ferizajt në zgjedhjet e sapo përfunduara, kanë vendosur për idenë tashmë të njohur, por të ndërprerë përgjysmë më herët, të përplotësimit të tipareve identitare të qytetit e komunës sonë, për një vlerësim e bashkëpunim të shumanshëm në marrjen e vendimeve të rëndësishme”, është shprehur kryetari Aliu.

Kryetari Aliu, tutje është shprehur se qytetarët e Ferizajt, nëpërmjet votës së lirë, kanë dëshmuar se janë gardiane shumë vigjilentë ndaj procesit që zhvillohet në komunën tonë: për të vlerësuar angazhimin progresiv, por edhe duke reaguar me shumë urtësi ndaj ngecjeve e defekteve.

“Besimi që kam marrë prej bashkëqytetareve të mi, mua nuk më bën qytetarë të veçante, por më bën njërin prej qytetareve më përgjegjës të komunë sonë. Për këtë përgjegjësi të dhënë, do të mundohem të mos iu zhgënjej në asnjë rast, dhe do të përpiqem ta arsyetoj me çdo çmim.

Në katër vjetët e ardhshme të qeverisjes në mandatin tim, do të punoj maksimalisht për përmbushjen e zotimeve paraelektorale. Por, jam i vetëdijshëm se me trendin aktual shumë inteniziv, brenda katër vjetëve të ardhshme, në bashkëpunim me të gjithë faktorët relevantë, do të vëmë kornizat e planifikimit të ruajtjes dhe konsolidimit të vlerave urbane të Komunës sonë, për të siguruar një funksionalitete e efikasitete të parimeve administrative e infrastrukturore edhe për 20-50 vjetet e ardhshëm.

Mbetet detyre që të planifikojmë për afat më të gjatë kahje e zhvillimit dhe rritjes së qytetit tonë, në mënyrë që të garantohet e ruhet komunikimi cilësor brenda dhe ndërkomunal, i përshtatshëm për të përballuar çdo lloj fluksi të rritjes së popullsisë dhe efekteve që do të prodhohen nga faktorizim ekonomik e kulturor i komunës sonë”, ka potencuar kryetari Aliu.

Në fjalën e tij, numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur se beson shumë edhe në mbështetjen e anëtareve të Kuvendit në propozimin, debatimin dhe miratimin e secilit projekt e ide që shkon në ë mirë të komunës sonë.

“Koloriti i përfaqësimit partiak brenda Kuvendit të Komunës, do të jetë fryma që do t’i bashkojë të gjitha idetë, në synimin tonë të përbashkët për emancipimin e mëtutjeshëm të komunës sonë. Unë besoj shumë në qytetarinë aktive të Komunës sonë, në drejtim të ideve e kritikave drejt një vendimmarrje më cilësore. Unë do të vazhdojë të bashkëpunoj ngushte me mediat, shoqërinë civile dhe të gjitha kategoritë e fokusit. Do të intensifikoj bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtare, në drejtim të promovimit të vlerave të komunës sonë jashtë vendit dhe përthithjes së resurseve të jashtme, financiare, ekonomike e kulturore në dobi të komunës sonë”, tha Aliu.

Kryetari i ri i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se kujdes të veçante do ti kushtojë edhe shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në mënyrë të veçante, do të intensifikoj bashkëpunimin me shoqatat e dala nga lufta të të persekutuarve politikë. Vizita e sotme të Memoriali i Dëshmorëve, është një dëshmi që thirrjen e shenjte të heronjve tanë, jemi të gatshëm të shndërrojmë në një zë tonin të vendosur në emër të veprës së tyre, në drejtim të angazhimit për përmbushjen e amanetit të tyre”, është shprehur Aliu.

Një falënderim të veçantë, kryetari Aliu, ka pasur edhe për familjarët e tij.

“Me lejoni që personalisht, në mënyrë të përkushtuar t’i shpreh mirënjohje edhe nderim bashkëshortes sime, e cila më ka dhënë mbështetje të plotë në misionin tim, jo pa sakrifica të kushtueshme. Vlerësoj edhe mbështetjen e prindërve dhe mbarë familjes sime, të cilët më dhanë kurajo që të vazhdoj të jem krah kërkesave dhe pritjeve të bashkëqytetareve të mi.

Është këtu sot edhe motra ime, Sanija, angazhimi i guximshëm e së cilës në etapat më tronditëse të rrugëtimit tonë historik si komb, më ka frymëzuar edhe mua të jem gjithnjë i rreshtuar drejt çdo aktiviteti në favor të çështjes sonë. Mirënjohje i shpreh edhe PDK-së, që më dha besimin e një kandidati për kryetar komunë, duke besuar fuqishëm tek cilësitë e mia dhe prirjet e mia edhe mbipartiake në shërbim të zhvillimit të komunës sonë”, ka thënë para të pranishmeve kryetari Agim Aliu.

Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar edhe kryetarin e deritanishëm Muharrem Svarqen për angazhimet e tij.

“I shpreh mirënjohje edhe kryetarit të deritanishëm të komunës për të gjitha punët e mira në komunë, duke besuar që verdikti i qytetarit me votën e lirë, është pasqyra më besnike e nevojës për miratim apo ndryshim të pushtetit.

Në fund, mirënjohja shkon për bashkëqytetaret e mi, të cilët e duan qytetin e komunën e tyre dhe të cilët besuan që unë të jem ai që do të jem në ballë të pritjeve, kërkesave, ambicieve e synimeve të tyre për një komunë më të dinijtetshme, për një të ardhme optimiste” ka përfunduar kryetari Aliu.

Para dhënies së betimit, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu me bashkëpunëtoret e tij, ka bërë homazhe edhe tek Varrezat e Dëshmorëve.

Të ngjashme