Përparim Rama është betuar si kryetar i Komunës së Prishtinës edhe për një mandat qeverisës, raporton Ekonomia Online.
Rama në fjalën e tij u zotua se do ta vazhdojë vizionin transformues të Prishtinës, ndërsa ka përmendur bllokadat dhe pengesat, sipas tij, që u bënë gjatë qeverisjes së kaluar “për kalkulime politike”.
“Na priftë e mbara së bashku. Bazuar në nenin 57-të të Ligjit për Qeverisje lokale me rastin e zgjedhjes kryetar i Komunës, bëj betimin para anëtarëve të komunës. Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryeje detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, u betua Rama.
“Sot qëndrojë para jush me mirënjohjen më të thellë për besimin që qytetarët ma kanë dhënë dhe njëherë. Prishtina foli dhe ky besim për mua është vazhdim i përgjegjësisë dhe motivit. Është zotim për të vazhduar punën me përkushtim e palëkundur. Ju faleminderit që na keni besuar drejtimin e qytetit tonë. Faleminderit që besuat në vazhdimin e vizionit transformues të Prishtinës. Po hyjmë në këtë mandat me vendosmëri për të përfunduar projektet kapitale, për të vazhduar investimet në arsim, shëndetësi e zhvillim rural. Do të vazhdojmë të përkrahim idetë inovative, të mbështesim krijimtarinë e rinisë dhe energjinë për të ardhmen”, tha Rama
Ai pret që gjatë këtij mandati të mos ketë sic potencoi bllokada e pengesa për shkak të kalkulimeve politike.
“E dimë se mandati i kaluar nuk ka qenë ashtu siç e kanë merituar qytetarët. Ka pasur bllokada të kalkuluar politikisht, vonesa e pengesa, dhe prej tyre më së shumti kanë vuajtur qytetarët. Uroj me zemër që në këtë mandat të reflektojmë dhe të mos e detyrojmë popullin të dëgjojë diskurse përçarëse, të mos e vendosim qytetin peng të kalkulimeve politike.
Secili prej nesh jemi të votuar me i shërby qytetarëve e jo partive politike. Prandaj e kemi për borxh të bëhemi bashkë e të punojmë. Të mos projektojmë kriza artificiale, të mos krijojmë bllokada që e lodhin qytetin, por të punojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen tonë. Ne jemi këtu në shërbim të qytetarëve. Na sfidoni! Na kritikoni! Kërkoni më shumë prej nesh”, tha ai.
Rama u zotua se do të jetë në shërbim të qytetarëve 24 orë në 7 ditë, e ku theksoi se qytetarët nuk i votuan për t’i ushqyeer egot por për të punuar.
“Drejtorët dhe ekipi i kësaj qeverisjeje duhet të kuptojë të qartë se puna dhe llogaridhënia janë themeli i kësaj detyre. Pres nga secili profesionalizëm, integritet dhe përkushtim qytetar. Unë, si edhe katër vitet e kaluara, do të jem këtu 24 orë në 7 ditë gati për bashkëpunim dhe për zhvillim. Pa ngjyra politike, pa inate e pa barriera. Qytetarët nuk na kanë zgjedhur për t’i ushqyer egot tona, por për të punuar për ta. Uroj që një qeverisje e tillë, e hapur, e përgjegjëse dhe vizionare, të jetë shembull edhe në nivel qendror. Ju e dini që unë as nuk jam ndalë e as nuk do të ndalem para asgjëje kur bëhet fjalë për zhvillimin e kryeqytetit dhe për të drejtat e qytetarëve tanë. Dhe kështu do të vazhdoj edhe në këtë mandat. Për këtë betohem sot! Prishtina përtej, nuk është vec slogan. Është drejtim. Është kapitulli i dytë i një plani 8-vjeçar për një Kryeqytet që nuk sillet si komunë e zakonshme, por si zemra e Kosovës – dinamike, digjitale e gjelbër, e hapur dhe bashkëpunuese ndaj rajonit dhe botës si qendër arti, kulture, inovacioni dhe ndërmarrësie”, tha ai.
Në fjalimin e tij nuk kishte si mos ta përmendte projektin e Lojërave Olimpike “Prishtina 2030”.
“Para nesh kemi projektin madhor të Lojërave Olimpike “Prishtina 2030”, një mundësi historike për qytetin dhe për Kosovën. Kjo kërkon bashkim, përkushtim dhe vizion të përbashkët. Kërkon që brezave të ardhshëm, këta kampionë që po na sjellin çmime ndërkombëtare, t’u bëjmë e t’u lëmë infrastrukturën sportive që e meritojnë dhe që u ka munguar me dekada dhe t’i japim Prishtinës imazhin pozitiv ndërkombëtar që e ka fituar me punë dhe dinjitet”, tha ai.
Nga foltorja e Kuvendit Komunal, Rama u bëri thirrje asamblisëve që bashkë ta bëjnë Prishtinën një qytet modern.
“Bashkë mund ta ndërtojmë Prishtinën e së nesërmes, për të cilën edhe ju si asamblistë të jeni krenarë me kontributin që keni dhënë. Bashkë të vazhdojmë ta bëjmë Prishtinën një qytet modern, inovativ, smart dhe me plot mundësi për të gjithë”.

