Biden bën thirrje për “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se duhet të ketë një “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas, pasi fjalimi i tij gjatë një tubimi zgjedhor u ndërpre të mërkurën mbrëma nga një protestuese që bëri thirrje për armëpushim.

“Mendoj se na duhet një pauzë”, tha Biden.

Kjo deklaratë paraqet ndryshim në qëndrim, pasi Biden dhe ndihmësit e tij, gjatë gjithë krizës në Lindjen e Mesme kanë qenë të palëkundur në deklarimet e tyre se nuk do të diktojnë se si izraelitët do të kryejnë operacionet e tyre ushtarake në përgjigje të sulmit të 7 tetorit të militantëve palestinezë të Hamasit.

Por, presidenti amerikan është përballur me presion në rritje nga grupet për të drejtat e njeriut, nga liderët botërorë, por edhe nga anëtarët më liberalë të partisë së tij, të cilët kanë thënë se bombardimet e Izraelit në Gazë janë ndëshkim kolektiv dhe se është koha për një armëpushim.

Në deklarimin e tij, Biden i bëri presion kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’u ofrojë palestinezëve të paktën një pushim të shkurtër nga operacioni i vazhdueshëm ushtarak që ka lënë mijëra të vdekur dhe e ka zhytur Rripin e Gazës në një katastrofë humanitare.

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të bëjë thirrje për armëpushim, por ka sinjalizuar se izraelitët duhet ta shqyrtojnë mundësinë e një pauze humanitare për të lejuar civilët që të marrin ndihmë dhe që shtetasit e huaj në Gazë, të largohen nga ky territor.

Trupat tokësore izraelite kanë përparuar afër qytetit të Gazës, përderisa janë përfshirë në luftime të ashpra me militantët, tha ushtria një ditë më parë. Ndërkaq, qindra shtetas të huaj dhe dhjetëra palestinezë të plagosur rëndë u lejuan që të largohen nga Gaza për në Egjipt pas më shumë se tre javësh nën rrethim.

Të ngjashme