Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të mbajë disa bisedime konfidenciale me presidentin amerikan, Joe Biden, në Washington, sa i përket luftës në Ukrainë dhe shqetësimeve në rritje lidhur me ndikimin e Kinës në situatën e krijuar, nëse Pekini vendos të furnizojë me armë Moskën.
Pa një deklaratë përfundimtare për shtyp do të zhvillohet takimi kokë më kokë mes dy liderëve globalë, duke reflektuar kështu një qasje tepër hermetike të asaj çfarë do të flitet.
Përtej faktit se takimi do të zgjasë vetëm një orë dhe në realitet kaq do të zgjasë edhe vizita një-ditore e Scholz në SHBA, do të ketë edhe një sesion të posaçëm, ku në dhomën ovale do të jenë vetëm Biden dhe Scholz, askush tjetër.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan, i cili ka folur rreth çështjes, kjo do të jetë e vetmja mundësi ku dy liderët të flasin pa doreza mbi luftën dhe të shkëmbejnë çdo detaj, të cilin e mendojnë me rëndësi, sa i përket edhe vetë takimeve me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, apo vetë luftën në tërësi.
“Të dy politikanët e kanë dashur këtë takim të jetë thjesht një zhvillim pune, një përveshje mëngësh për të parë se ku situata ndodhet realisht dhe vëmendje, do të jetë vetëm dhe vetëm Ukraina”, bëri me dije zyrtari.
Teksa, analistë politikë, e shohin këtë edhe si një mundësi të forcimit të binomit amerikano-gjerman në Evropë dhe botë, duke përputhur politikat që duhet të ndiqen për të luftuar me frontin lindor dhe presidentin rus, Vladimir Putin, apo aleatin e tij, Xi Jinping.