Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në intervistë ekskluzive për CNN të martën mbrëma, tha se beson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është ‘aktor racional’, i cili ka keqgjykuar aftësinë e tij për të pushtuar Ukrainën dhe shtypë popullin e saj.
“Mendoj se ai është një aktor racional, i cili ka keqllogaritur dukshëm”, tha Biden në intervistë me gazetarin e CNN, Jake Tapper, përderisa bombardimet në caqe civile në Ukrainë shënojnë një tjetër kthesë në luftën atje.
Presidenti amerikan, i cili në javën e kaluar paralajmëroi rrezikun nga ‘një Armageddon bërthamor’ të nivelit të para 60 vjetëve, tha se kërcënimet që vijnë nga Rusia mund të kenë rezultat me gabime katastrofike dhe keqllogaritje. Por, Biden nuk tregoi se saktë se cila do të ishte përgjigjja e saktë e SHBA-ve nëse Putin lëshon mjet taktik bërthamor në fushëbetejën në Ukrainë.
Ai përmendi se do të ketë pasoja për Arabinë Saudite pasi u bashkua me Moskën për të lajmëruar ndërprerjen në prodhim të naftës, një lëvizje kjo që mund të ndikojë në rritjen e çmimeve të gazit në nëntor kur edhe janë zgjedhjet.
Biden, zyrtarët e tij të lartë dhe liderët perëndimorë gjatë muajve të fundit kanë debatuar se cilat mund të jenë hapat e Putin kur trupat e tij po përballen me humbje të turpshme në Ukrainë.
Megjithatë, këtë javë Rusia filloi një ndër fushatat më të ashpra bombarduese në Ukrainë, ku mbi 19 njerëz u vranë dhe qindëra tjerë u plagosën, veçanërisht në Kiev dhe Lviv.
Në pyetjen se nëse do të takohen në muajin e ardhshëm me Putinin në samitin e G20 në Indonezi, Biden tha se nuk sheh ndonjë arsye të mirë për takim.
“Do të varet nga ajo se për çfarë do të flasim”, tha Biden, duke shtuar se nëse Putin do të diskutonte për basketbollisten e burgosur amerikane, Brittney Griner, atëherë ai do të ishte i hapur për diskutim me të.
“Por, ai ka vepruar shumë brutalisht. Mendoj se ka kryer krime të luftës. Prandaj, nuk e shoh të arsyeshme ta takoj tash”, tha presidenti amerikan, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Pasi që Biden paralajmëroi në javën e kaluar për rrezikun e një ‘Armageddoni’ bërthamor që nga koha e Krizës në Kubë, ai i tha Tapper se nuk beson që Putin mund të ndërmarrë atë hap.