Biden thotë se nuk do ta falë Trumpin nga përndjekja penale nëse zgjidhet president

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Joe Biden, i nominuari i Demokratëve për president të ShBA-ve, ka paralajmëruar presidentin aktual Donald Trump se do ta përdorte krejt forcën e ligjit nëse nuk rizgjidhet në këtë detyrë në muajin nëntor.

Biden mori pjesë në një “town-hall” virtuale në MSNBC gjatë të enjtes në mbrëmje, dhe pranoi pyetje nga publiku.

Një ndër këto pyetje ishte edhe ajo nga një votues nëse do ta falte Donald Trumpin për ndonjërën prej shkeljeve që kishte bërë – ashtu siç kishte vepruar në të kaluarën presidenti Gerald Ford, që i kishte ofruar falje presidenciale Richard Nixonit pas skandalit të Watergate, shrkuan DailyBeast.

Biden nuk foli për ndonjë aktakuzë specifike që do të ngrihej ndaj Trumpit, por garantoi që çdo vendim prokurorial do të ishte sipas ligjit – dhe jo sipas tij.

“Absolutisht po,” tha Biden. “Do t’i heq duart krejtësisht nga çdo çështje. Shikoni, Prokurori Gjeneral i Shteteve të Bashkuara nuk është avokati i presidentit, është avokati i popullit… Ajo (ndërhyrja në drejtësi) nuk është diçka që i takon presidentit ta bëj, të vendos nëse dikush duhet të përndiqet penalisht apo jo. Ajo nuk është detyra e presidentit, e as përgjegjësia dhe përbën braktisje të kësaj detyre.”

Kujtojmë që edhe aktualisht polarizimi i skenës politike në ShBA është tepër i lartë, pasi presidenti Trump po akuzon ish presidentin Obama për të ashtuquajturin “skandali Obamagate” që pretendon se Obama ka drejtuar konspiracionin që thoshte se Rusia ishte përzier në zgjedhjen e Trumpit vetëm për t’i dëmtuar gjasat e tij për fitore në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2016.

Trump madje ka kërkuar që Obama të përndiqet penalisht për një gjë të tillë. Ndërkohë, edhe Demokratët kanë kërkuar përndjekjen penale të Trumpit për obstruksion ndaj drejtësisë. 

Të ngjashme