Biden uron popullin shqiptar: Qëndrojmë me Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së

Prishtinë | 28 Kor 2022 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka uruar popullin shqiptar me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Me anë të një video-mesazhi, Biden thotë se ShBA qëndron krah Shqipërisë për teksa punojnë për forcimin e institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe rrugën e shtetit shqiptar drejt BE-së.

Lexoni më poshtë urimin e plotë të Bidenit drejtuar Shqipërisë:

Mbarë popullit të Shqipërisë, i dërgoj urimet e mia më të përzemërta të miqësisë jetëgjatë me ShBA-në, ndërsa festojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona. Kur ShBA e mbrojtën Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme mes popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe për vlerat e demokracisë, të cilat nuk u thyen kurrë.

Sot, Shqipëria dhe ShBA janë aleate në NATO dhe partnere që punojnë së bashku për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Evropë dhe në mbarë botën, duke përfshirë punën tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ka bërë gjithashtu një kontribut kritik në mbështetjen e nevojave humanitare dhe të sigurisë për popullin ukrainas teksa mbrojnë veten e tyre kundër luftës brutale të Rusisë. Dua gjithashtu që të falënderoj popullin e Shqipërisë për mikpritjen në strehimin e mijëra afganëve gjatë vitit të kaluar.

ShBA do të vazhdojë të qëndrojë me Shqipërinë teksa punoni për të forcuar institucionet demokratike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe plotësoni udhëtimin për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Uroj që dy kombet të vazhdojnë të ndërtojnë mbi gjithçka që kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më të fuqishme, shpresëdhënëse për fëmijët tanë.

Të ngjashme