Biden zotohet se do të ofrojë ndihmë për rimëkëmbje të Floridës, pas stuhisë

Prishtinë | 03 Sht 2023 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të ofrojë çfarëdo ndihme për Floridën për t’u rimëkëmbur, pas shkatërrimit që ka lënë mbrapa stuhia tropikale Idalia.

Biden i ka bërë këto deklarata nga vendi i ngjarjes, ku të paktën dy persona besohet të kenë vdekur, prej zbarkimit të stuhisë të mërkurën në këtë shtet.

Biden ka thënë se asnjë njeri “inteligjent” nuk ka dyshim për ndikimin e ndryshimeve klimatike në stuhi të tilla.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis ka vendosur të mos takohet me presidentin Biden.

DeSantis, i cili synon ta fitojë nominimin e republikanëve në garën për president të SHBA-së, ka thënë paraprakisht se prezenca e Bidenit në Florida do t’i pengonte përpjekjet për përgjigje ndaj katastrofës.

Florida pas uraganit Idalia
Fotogaleri
Florida pas uraganit Idalia
Biden, i cili ka biseduar disa herë me DeSantisin gjatë javës, përmes telefonit, ka thënë se do të shkojë edhe fizikisht në Florida.

Idalia ka zbarkuar si stuhi e fuqishme në zonën Big Bend të Floridës të mërkurën, dhe është përshkruar nga zyrtarët si stuhia më e keqe që e ka goditur rajonin në 100 vjetët e fundit.

Prej asaj dite stuhia ka lëvizur në veri, duke goditur shtetet fqinje si Xhorxhia dhe dy Karolinat.

Shtëpitë dhe bizneset janë vërshuar, dhe mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.

Të ngjashme