Kandidati Demokrat, Joe Biden, po i afrohet fitores në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ndërsa po vazhdon numërimi i votave në disa shtete që do ta përcaktojnë presidentin e ardhshëm dhe protestuesit kanë dalë në rrugë, shkruan agjencia Reuters.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar për mashtrim pa ofruar dëshmi, ka ngritur padi dhe po ashtu ka kërkuar rinumërim të votave, në një garë që ende nuk është vendosur edhe dy ditë pas ditës së zgjedhjeve.
Çdo gjë do të vendoset në pesë shtete, ku rezultati është mjaft i ngushtë. Bideni ka një epërsi të ngushtë në Nevada e Arizona, ndërsa Trumpi është duke e parë se si epërsia po i zvogëlohet në Pennsylvania e Georgia, ndërsa po numërohen votat me postë. Republikani Trump mban epërsi të ngushtë në Karolinë Veriore po ashtu, një shtet tjetër që duhet të fitojë.
Trumpi duhet të fitojë shtetet ku është ende në epërsi, plus të fitojë Arizona apo Nevadan, për të triumfuar dhe evituar që të bëhet presidenti i parë i SHBA-së që nga viti 1992 që dështon të rizgjidhet. George H.W. Bush ishte presidenti i fundit që dështoi të fitonte mandatin e dytë.
Sipas projeksioneve të “AP”, Bideni aktualisht ka 264 vota elektorale, duke e llogaritur se e ka fituar Arizonan, ndërsa i duhen edhe gjashtë vota elektorale për t’i fituar zgjedhjet.
Numërimi dhe betejat ligjore mund të zvarritin çështjen me ditë nëse jo me javë, para se Kolegji Elektoral të takohet më 14 dhjetor dhe presidenti i ardhshëm të jap betimin më 20 janar.
Me tensionet në rritje, rreth 200 protestues të Trumpit, disa të armatosur edhe me pushkë e pistoleta, janë mbledhur jashtë zyrave zgjedhore në Phoenix, Arizona, të mërkurën pas informatave se votat nuk po numërohen.
Në Detroit, zyrtarët policorë kanë ndaluar 30 persona, shumica republikanë, nga hyrja në vendin ku po numërohen votat, pas akuzave të pabaza se po bëhet shkelje në numërimin e votave në Michigan.
Protues anti-Trump në shtetet tjera kanë kërkuar të vazhdohet numërimi. Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka konfiskuar armatim në Portland, Oregon, pas raportimeve për trazira, ndërsa ka pasur arrestime edhe në New York, Denver e Minneapolis. Janë planifikuar mbi 100 ngjarje nëpër SHBA nga e mërkura deri të shtunën.